Vazhdojnë huqjet e MPJ-së në “Twitter”, kësaj radhe ngaterron ministrin e Maqedonisë së Veriut
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës në Twitter, është njoftuar për një vizitë të ministres Donika Gërvalla në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë njoftimit, në shkrimin në Twitter, është ngatrruar ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ku në vend të tij, është etiketuar një qytetar me emrin e njëjtë, raporton Zeri.info.
Pas disa minutave, zyrtarët e MPJD-së së Kosovës, kanë ndryshuar postimin duke e etiketuar profilin zyrtar të ministrit Osmani.
“E ftuar nga kolegu i saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, Ministrja e Punëve të Jashtme Gërvalla zhvilloi bisedime të shkëlqyera me Presidentin Pendarovski, Kryeministrin Zaev, Kryetarin e Kuvendit Xhaferi, dhe të tjerë. Ajo, gjithashtu mori pjesë në një ceremoni për të emërtuar një rrugë në nder të babait të saj të ndjerë, Jusuf Gërvalla”, thuhet në shkrimin e MPJD-së në Twitter.
“Zëri” ka arritur të ruajë postimin me gabim para përmirësimit.Kujtojmë se faqja zyrtare në Twitter e Ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, është e njohur për gafa të tilla edhe më herët, ku para kësaj ishte ngatërruar flamuri i NATO-s me atë të OKB-së. /Zëri