Banka e parë e klasës së dytë në shkollën fillore“Esad Mekuli” në fshatin Caravikë të Klinës, ka mbetur e zbrazët tash e disa muaj.
Vetëm brenda këtij viti shkollor, tre nxënës të kësaj klase kanë braktisur mësimin duke u larguar në mërgim me familjet e tyre, në kërkim të një jete më të mirë.
Mësuesja e tyre thotë se për shumë vite sa punon në arsim, asnjëherë nuk ka pasur më pak nxënës sesa këto dy vitet e fundit.
Se fshati po zbrazet me shpejtësi të madhe, e thotë edhe kryetari Miftar Bashota , sipas të cilit, brenda një viti, mbi 20 shtëpi kanë mbetur të boshatisura.
Ai thotë se nga shumica e këtyre familjeve të larguara, së pari kryefamiljarët kanë arritur ta sigurojnë një vizë pune dhe pastaj kanë marrë edhe anëtarët e tjerë të familjes në shtetet evropiane.
Bashota tregon arsyet të cilat po i shtyjnë banorët ta braktisin vendlindjen.
Fshati ka mbetur edhe pa të rinj, të cilët po ashtu kanë emigruar në vendet perëndimore.
Ndërsa, edhe ata pak të rinj që janë ende në këtë fshat mendojnë të ikin në momentin e parë që u ofrohet ndonjë mundësi.
Gjermania, Kroacia e Sllovenia, mbeten disa nga vendet e preferuara ku kosovarët duan të shkojnë dhe të punojnë, raporton KTV.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë Federale për Punë të Jashtme, në vitin 2018, Ambasada në Prishtinë ka lëshuar mbi 25 mijë viza, e prej tyre, afër 13 mijë kanë fituar edhe leje qëndrimi në Gjermani.
Ndërkaq, vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, Sllovenia ka lëshuar 3 mijë e 319 leje qëndrimi të përhershme ose të përkohshme, ku përfshihet edhe leja e punës.
Por, pavarësisht këtyre të dhënave dhe largimeve nga Kosova, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte mohuar se të rinjtë po e lënë Kosovën, duke vënë në pikëpyetje edhe raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.