Vazhdon kapja e shtetit nga VV-ja, mik e dhëndër në Bordin e Ujësjellësit
Evetar Zeqiri është njëri prej anëtarëve të ri të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, të emëruar gjatë ditës së djeshme nga Qeveria Kurti II.
Zeqiri dyshohet se këtë pozitë e gëzoi pas lidhjeve të afërta që ka me partinë e Albin Kurtit që udhëheq me shtetin, shkruan Gazeta Insajderi.
Zeqiri është mik [v,j. Vëllai i gruas] i kandidatit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mentor Hyseni, që njëherëshit Hyseni në mandatin e parë të Qeverisë Kurti ka qenë edhe kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”.
Insajderi ka kontaktuar Hysenin dhe Zeqirin mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk janë përgjigjur.
Kurti në mbledhjen e shtatëmbëdhjet (17), të mbajtur gjatë ditës së djeshme [25.06.2021], ka emëruar Bordin e ri të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina” më këtë përbërje:
Nora Tafashiku Kurtishi, kryesuese e këtij bordi dhe anëtarët Albana Berisha Qehaja, Arian Shuku dhe Evetar Zeqiri.
Kryeministri Kurti, sa ishte në opozitë e kishte gojën plot, se në momentin që do ta merrte pushtetin do të zvogëlonte dhe zhdukte korrupsionin, nepotizmin dhe politizimin e bordeve.
Këtë premtim Kurti e kishte bërë gjatë vitit 2017-ës, në fushatën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në kohën kur tri subjektet politike PDK-AAK-NISMA ishin bërë bashkë për të sfiduar subjektet tjera politike.
“Me këtë Qeveri u rrit numri i partive që e kanë kapur shtetin, por në zgjedhjet e ardhshme ne do t’i çkapim prej shtetit”, kishte deklaruar Kurti, në një prej tubimeve zgjedhore.
Gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër e po ashtu edhe gjatë këtij mandati, Kurti është duke punësuar anëtar partie e njerëz të afërt.
Ish-udhëheqësi i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë, Abdullah Lala, ishte emëruar drejtor i Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrak os” Sh.A, në Qeverinë Kurti I, ndërsa, anëtari i Vetëvendosjes, Artan Dermaku ishte zgjedhur anëtar i Bordit.
Kurse gjatë mandatit të dytë, në Qeverinë Kurti janë punësuar edhe familjarë.
Xhaxhai i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, Rabit Konjufcës, është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes. /Insajderi.org