Vëllai i deputetit Enver Dugolli në listën e ngushtë për Sekretar të Ministrisë së Mbrojtjes
Qeveria e Kosovës është duke i zhvilluar procedurat për sekretarë të përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Demokracia.com ka siguruar emrat e personave që pretendojnë t’i marrin këto pozita.
Në listën e ngushtë për Sekretar të Zyrës së Kryeministrit janë pesë kandidatë, përkatësisht Arben Krasniqi, Bejtush Isufi, Florim Canolli, Kushtrim Brahimaj dhe Lulzim Beqiri.
“Lista e ngushtë për kandidatët që vazhdojnë procedurën e mëtejme të rekrutimit për pozitën, Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës janë: Arben Krasniqi, Bejtush Isufi, Florim Canolli, Kushtrim Brahimaj dhe Lulzim Beqiri”, thuhet në njoftimin e siguruar nga Demokracia.com.
Po ashtu, Demokracia.com ka mësuar se në listën e ngushtë për Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, që drejtohet nga Armend Mehaj, janë dy kandidatë: Gafur Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, si dhe Kushtrim Brahimaj, i cili figuron edhe në listën e ngushtë për Sekretar të Zyrës së Kryeministrit.
Por, lidhja e Dugollit, që ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes me FSK-në nuk mbaron këtu. Ai në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se përveç pagës së Kuvendit prej 19 mijë e 3 euro në vit, merr edhe pension vjetor nga Forca e Sigurisë së Kosovë në vlerë 10 mijë e 476 euro.
E pension të parakohshëm nga FSK, që dikur ishte edhe TMK, merr edhe gruaja e Dugollit që punon në PTK. Ajo merr pension 1 mijë e 957 euro nga FSK dhe pagë vjetore 7 mijë e 200 euro.
Në FSK atij i punon edhe një fëmijë, që merr pagë 9 mijë e 84 euro në vit.
Kurse, Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu i ka ndërprerë procedurat për rekrutimin e sekretarit për shkak se nuk janë identifikuar të paktën dy kandidatë që i kanë plotësuar kushtet për këtë pozitë, shkruan Demokracia.com.
“Ndërpritet procedura e rekrutimit me nr. RN000098915 e shpallur me datë 28.04.2022 për pozitën, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë për arsye se nuk janë identifikuar të paktën dy kandidatë që i kanë plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tutje në procedurën e rekrutimit”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.