Vëllai i Remzi Hoxhës: Edhe Ilir Kumbaro do vdesë një ditë, ne kërkojmë që të gjejmë eshtrat e vëllait tonë
Vëllai i Remzi Hoxhës: Edhe Ilir Kumbaro do vdesë një ditë (2012)
Ne kërkojmë që të gjejmë eshtrat e vëllait tonë, në mënyrë që edhe fëmijët e tij të kenë një vend se ku mund të qajnë babin e tyre, në mënyrë që edhe vëllai im të ketë një varr si gjithë të tjerët”.
Kështu ka reaguar Nebi Hoxha pas dhënies së dënimit prej 15 vitesh për ish- punonjësin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.
Ai ka pohuar se të gjithë një ditë do të vdesim, madje edhe Kumbaro, duke kërkuar prej tij që të tregojë se ku janë eshtrat e të vëllait.
“I bëj thirrje Ilir Kumbaros se nëse fshihet diku dhe ka pasur aq guxim sa të torturojë një person dhe ta rrahë atë, e lus Kumbaron që të dalë si burrë dhe të pranojë fajin, si dhe të na tregojë se ku janë eshtrat e vëllait tim”, apelon Hoxha në GSH.
Ai shprehet i pakënaqur me gjykimin, pasi ai që është akuzuar i fshihet drejtësisë, ndërsa personat e tjerë që janë të implikuar në këtë çështje, dhe që janë në Tiranë, lihen të lirë, ndërkohë që mbajnë edhe poste të larta shtetërore.