Vëllau i Hashim Thaçi kishte ndërtuar një kompleks milionësh banesor në lagjen Mati 1
Në kohën kur Hashim Thaçi po bënte një vit pushtet në pozitën e kryeministrit, një kompani ndërtimi u shënua në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në Kosovë (ARBK), më 14 janar 2009.
Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit, është hisedar në këtë “Iliria Building” që ka ndërtuar një kompleks milionësh banesor gjatë vitit 2012 në lagjen Mati 1 në Prishtinë.
Ai është partner i Milaim Cakiqit, një biznesmeni nga Drenasi. Adresa e kompanisë në certifikatën e biznesit shënohet se është Çagllavica.
Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.
Blerim Thaçi nuk kishte pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi. Në ARBK ai nuk figuron që ka pasur më herët ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.
Blerim Thaçi regjistroi edhe kompaninë “Odetjon”, që ka për aktivitet ndërtimin e tregtinë, në nëntor të vitit 2009. Emri i saj nuk është hasur tek fituesit e prokurimeve publike dhe nuk dihet nëse biznesi ka afarizëm financiar.
Ndërkohë “Blloku A 21”, siç quhet kompleksi i ndërtuar nga Iliria Building, është i ndarë në dy objekte në të cilët janë planifikuar të ndërtohen 102 banesa.