Qeveria të premten ka miratuar nismën për marrëveshjen ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta. Lidhur me këtë, të parët e shtetit morën shumë kritika se është nismë e Mini-Shengenit, iniciativë të cilën e kanë kundërshtuar vazhdimisht. Megjithatë, në propozim marrëveshjen për një nismë të tillë, shihet se pika e parë ka të bëjë pikërisht me vendimin që u votua sot nga ekzekutivi.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti sot ka mbajtur mbledhjen e 12-të më radhë, në të cilën janë marrë disa vendime, raporton Demokracia.com.
Këtu hynë edhe ai për marrëveshjen ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.
Qeveria miraton nismën për lehtësimin e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor
Qeveria mori kritika të shumta për këtë vendim, i cili u cilësua si nismë e “Mini-Shengenit”, iniciativë të cilën e kishin kundërshtuar fuqishëm Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një shkrim në rrjetin social Facebook, mbrëmjen e së premtes tha se vendimi i marrë ka qenë nismë në kuadër të procesit të Berlinit.
Megjithatë, sipas propozimit për marrëveshjen e “Mini-Shengenit”, pika e parë thekson mundësimin e udhëtimit vetëm me letërnjoftim nëpër të gjithë rajonin, raporton Demokracia.com.
Në dokumentin ku janë përcaktuar përfitimet që do t’i merrnin shtetet nënshkruese nga kjo marrëveshje, pika e parë thekson:
- Udhëtimi në rajon vetëm me letërnjoftim.
Vlen të theksohet se Kurti në disa paraqitje më herët kishte kundërshtuar idenë e “Mini-Shengenit”, duke thënë se paraqet “Jugosllavinë e katërt”.
“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, kishte thënë Kurti rreth një vit më parë./Demokracia.com/