Bedri Islami, ish-kreu i Lëvizjes Popullore Kombëtare (LPK), që në publikun e gjerë kosovarë njihet nëpërmjet shkrimeve që i botonte në mediat e pasluftës, ka bërë një deklaratë interesante në një emision televiziv në Shqipëri rreth datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Islami ka thënë se Hashim Thaçi e ka zgjedhur 17 shkurtin për shkak se kjo është data e themelimit të LPK’së (17 shkurt 1982).
“Është zgjedhur qëllimisht data 17 shkurt, sepse më 17 shkurt është krijuar Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Thaçi tha do se ta shpallim pavarësinë në një ditë të shënuar për Kosovën. Dhe meqenëse ka qenë për shumë vite një nga drejtuesit e LPK zgjodhi këtë datë. Ndoshta bëjë gabim që e shpalosi për herë të parë këtë ide sepse tjerëve nuk u ka rënë në mend por fakti kështu është”, ka theksuar Islami në emisionin “Arnautistan” të drejtuar nga Mustafa Nano.
Islami ka treguar për kohën ku ka punuar si gazetar dhe kur ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste në Shqipëri e më pas edhe për migrimin në Gjermani ku ka takuar edhe aktivistët e lëvizjeve të ndryshme shqiptare.
Përveç të tjerëve ai ka përmendur edhe Ali Ahmetin dhe figura tjera. Islami ka treguar se si është ngjitur në krye të LPK’së duke thënë se i ka marrë 88 vota dhe se vetëm ai ka qenë kundër. Më pas, Islami ka folur edhe për raportet e tij me ish-presidentin Hashim Thaçin.
“Kemi qenë bashkëluftëtarë, kemi qenë dy figurat kryesore të UÇK’së, njëri kryetar i organizatës dhe tjetri drejtor politik”, ka theksuar Islami, raporton Gazeta Express.
“Kam punuar gjatë me të (Hashim Thaçin), edhe pas luftës, deri në fund kam qenë këshilltar i lartë i Thaçit, pa pagesë, sepse jam paguar diku tjetër”, ka thënë ai.
Islami ka folur edhe për Kosovën e pasluftës, duke thënë se “gabimi kryesor i kësaj elite që dolën nga lufta është se nuk e thirrën mendjen në drejtim (të vendit), dhe nuk gjeten njerëz të aftë për të drejtuar shtetin”
“Në funksionet që kam pasur, kemi synuar që vazhdimisht në Kosovë të vinin njerëz të nivelit të dytë, jo ministra, zëvendësministra, por ish drejtorë drejtorie që të ndërtonin të njëjtat struktura në Kosovë. Në fillim u pranuan, por pastaj na detyruan t’i largonim nga Kosova”, ka thënë ai.
Isalmi ka komentuar edhe qeverisjen aktuale të Albin Kurtit duke thënë se nuk është shumë entuziast për qeverisjen e tij, për të theksuar se Kurti nuk po mund të ndahet nga mendësia opozitare.
Çështja se pse është zgjedhur 17 shkurti si datë e shpalljes së pavarësisë vazhdon të debatohet edhe pse 14 vjetësh. Ajo zakonisht është ndërlidhur me zhvillime ndërkombëtare dhe me neutralizimin e ndonjë reagimi nga Serbia dhe Rusia në mekanizma siç janë Këshilli i Sigurimit.
Lëvizja Popullore e Kosovës është organizatë që ka operuar jashtë vendit për shkak të përndjekjes nga regjimi jugosllav dhe i Serbisë. Ajo është themeluese e UÇK’së. Pas vitit 1999 strukturat e saj vendosin që të vazhdojnë aktivitetin fillimisht në Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës që më vonë u shndërrua në Partinë Demokratike të Kosovës. Por kjo lëvizje, rivale e madhe e strukturave që kishin strumbullar LDK’në, ka vazhduar aktivitetin edhe në vitet 2000 e këtej./GazetaExpress.