Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova nuk bën me Serbinë asnjë marrëveshje, e cila cënon sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.
Ai tha për “Zërin e Amerikës” se Serbia tenton të krijojë situata përmes të cilave të përfitojë për vete.
Veseli deklaroi se e mbështet idenë e një pezullimi të përkohshëm të tarifës ndaj mallrave serbe për t’i hapur rrugë rifillimit të bisedimeve, nëse kjo do të ishte e nevojshme.
Por, sipas tij, një pezullim i tillë nuk mund të jetë i përjetshëm.
Zoti Veseli, procesi i bisedimeve me Serbinë është pezulluar dhe qëndrimet e palëve kanë bërë që të dështojnë edhe përpjekjet ndërkombëtare për ripërtëritjen e procesit. Cila është rrugëdalja sipas jush?
Kadri Veseli: Zgjidhja është: Serbia duhet ta njohë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, territorin në të cilin jemi. Ne, po ashtu, do ta njohim shtetin e Serbisë. Jemi për hapjen e një epoke të re, një epoke të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Kjo do të na lehtësonte ne dhe Serbinë, për faktin se kanë kaluar dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Serbia e di saktësisht se e ka humbur Kosovën. Serbia tenton të manipulojë, të krijojë situata përmes të cilave mendon të përfitojë për vete.
Serbia e di fare mirë se çfarë duhet bërë, sipas jush?
Kadri Veseli: Unë mendoj se Serbia e di, por ne të gjithë, bashkarisht, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojmë Serbinë që ta pranojë këtë realitet që tashmë ajo e di.
Kosova është nën trysninë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe si pengesë për rifillimin e bisedimeve. Ju i keni refuzuar thirrje të tilla. A nuk e bën kjo Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut?
Kadri Veseli: Tarifa është një histori e dhimbshme e sjelljes së Serbisë karshi Kosovës. Për dy dekada Serbia nuk i ka njohur produktet e Kosovës, nuk lë qytetarët tanë të qarkullojnë lirshëm. Nëse shikoni sot, i kemi qindra mijëra bashkatdhetarë tanë me fëmijë të cilët presin nëpër kufijtë e Serbisë me Kosovën për t’u futur në Serbi apo për të dalë nga Serbia në Kosovë. Janë të gjitha këto sjellje, të cilat janë destruktive. Ne kemi vendosur tarifa si kundër-reagim ndaj kësaj politike destruktive të Serbisë, por asesi nuk duam që tarifa të përdoret si përgjigje dhe komunikim i yni me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kam ofruar edhe opsionin përmes së cilës ne i themi “Po” Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por duhet të kemi edhe një gjë parasysh në çështjen e tarifës: nuk është mirë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i japin inkurajim Serbisë duke vënë presion të njëanshëm vetëm ndaj Kosovës për çështjen e tarifës, përderisa Serbia na ka vënë ne tarifë që 20 vjet.
I keni shtruar këto probleme me zyrtarët amerikanë në takimet me kongresmenët?
Kadri Veseli: I kemi shtruar disa herë. Ka një mirëkuptim të pjesërishëm. Megjithatë, ne si institucione të Republikës së Kosovës do të jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona. Por Serbia duhet të reflektojë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mundet me bë çka don me ne.
Ndonëse pas takimit të Berlinit në fund të muajit prill u tha se “kanë vdekur idetë për prekje të kufijve në këtë proces”, presidenti serb Vuçiç thotë se nuk do ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë, ndërsa presidenti i Kosovës Thaci sërish kërkon bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Cili është qëndrimi juaj?
Kadri Veseli: Kam mendim shumë të qartë. Në radhë të parë Vuçiçi e bën për konsum të brendshëm dhe e din se e ka humbur Kosovën. Kosova është çështje e përfunduar. Për aq sa ne duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve. Unë dëgjova edhe kryeministrin tim tani që fliste për uljen në tryezën e bisedimeve. Ne ulemi kurdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian na thonë të ulemi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Por ne nuk bëjmë asnjë marrëveshje, e cila cënon sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, por edhe institucional.
Kryeministri Haradinaj tha këto ditë se ju dhe presidenti Hashim Thaci e keni kundërshtuar atë në prani të diplomatëve perëndimorë lidhur me tarifat dhe marrëdhëniet tuaja tashmë janë ftohur. Sa ka ndikuar qasja ndaj bisedimeve në marrëdhëniet brenda koalicionit tuaj qeverisës?
Kadri Veseli: Ne kemi koalicion, por kemi edhe dallimet tona konceptuale, të cilat, në formën si e shoh unë çështjen e tarifës dhe çështjen e dialogut. Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000% ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon. Pozicioni im është shumë i qartë që nga fillimi, është transparent: Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional. Por duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar. Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi. Në qoftë se i vëmë bashkë: ShBA, Bashkimin Evropian, si dhe çështjen tarifën edhe Serbinë është gabim. Ne duhet të gjejmë momentumin dhe rrugën e cila e dallon Serbinë nga gjuha e cila përdoret ndaj nesh nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Për këtë arsye thashë, për Serbinë e vë edhe 1000% tarifën, por me Bashkimin Evropian dhe SHBA ne tregojmë se jemi tolerantë. Kam propozuar edhe një suspendim (pezullim) por ai suspendim nuk është i përjetshëm. Serbia po manipulon, Vuçiçi po manipulon.
Vazhdojmë me pyetjen për ftohjen që përmenda. Opozita paralajmëroi se në shtator mund të jetë periudhë e rrëzimit të qeverisë. A ka gjasa që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja këtë vjeshtë?
Kadri Veseli: Zgjedhjet e reja janë çështje demokratike por ajo çka shihet është që kemi një opozitë të çakorduar dhe të çoroditur e cila më tepër flet se merr vendime. Do të thoja këtë se pozita ku ndodhemi ne si koalicion qeveritar që unë e udhëheq…
…Pozita gjithmonë flet keq për opozitën …
Kadri Veseli: … i ka disa të meta dhe nuk e ka atë axhilitetin të veprojë në mënyrë më aktive. Opozita është totalisht e çoroditur…
…Pra ju nuk besoni se do të ketë zgjedhje të reja…
Kadri Veseli: Nuk besoj se kjo opozitë në rend të parë ka ndonjë opsion alternativ e le më ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme.
Zoti Veseli, menjëherë pasi u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike ju kërkuat nga anëtarët e partisë që kanë akt-akuza për korrupsion, të lironin vendet, disa prej tyre i kanë liruar, disa kanë rezistuar
Kadri Veseli: Të gjithë i kanë liruar dhe s’do të rezistojë asnjë ….
..sa e sfidon udhëheqjen tuaj kundërshtimi i atyre që nuk i kanë liruar vendet.
Kadri Veseli: Jeta ime nuk është me çdo kusht politikë, po jeta ime është me çdo kusht qëllimi im me të cilin dua ta realizoj në politikë për interesin e qytetarëve dhe të vendit tim. Nuk ka asnjë që do ta refuzojë. Do t’i shkoj këtij procesi deri në fund. Kjo është vetëm fillimi i reformave të cilat lidhen me reforma institucionale, ekonomike të vendit tonë. Kosova është vend i vogël. Është 1.7 milionë banorë. Ne e njohim secili njëri-tjetrin, e dimë si kemi pasuri, e dimë si kemi bërë pasuri, por ajo çka është si mesazh është kjo: nuk do të lejojmë askënd që pas dy dekadave për hir të individit të vihen në rrezik të arriturat që kemi pasur deri tani. Dhe orientimi ynë është: shteti ligjor në kuptimësinë e plotë, por në të njëjtën kohë alternativa e zhvillimit ekonomik, në një ekonomi ndërmarrësie. Ky është drejtimi në të cilin nuk ka tolerim edhe më vjen keq, megjithëse kam dëshirë të jem mirë, por me principet nuk bëjmë pazar.
Zoti Veseli, kritikët i shohin me rezerva thirrjet tuaja që unë përmenda, duke theksuar se emri juaj lakohet në disa raste siç është rasti Pronto apo një aferë e ndriçuar në muajin maj ku ju përmendeni në një videoregjistrim. Pas këtij rasti të fundit ju keni kritikuar funksionimin e organeve të zbatimit të ligjit. A nuk është përgjegjësia e partisë suaj për këtë situatë në fushën e sundimit të ligjit, kur ju kenoi 12 vjet në udhëheqje?
Kadri Veseli: Ne do t’i marrim si Parti Demokratike e Kosovës dhe unë si kryetar të gjitha përgjegjësitë si çdo qytetar në Republikën e Kosovës, edhe rastet të cilat i përmendni deri në fund. Kam kërkuar dhe veprimet janë duke u marrë. Ajo që duhet të dërgoj mesazh është: të gjithë njerëzit, qoftë kryetar apo fshatar, fermer, njeriu do të përgjigjet para ligjit dhe ligji do të jetë i pamëshirshëm për të gjithë. Por të njëjtën kohë do t’i jepen dhe privilegje dhe mundësi, që njerëzit që kanë dijeni, që kamë aftësi, me marrë edhe përgjegjësi. Liria nuk është vetëm privilegj, liria është edhe me marrë përgjegjësi.
Zoti Veseli, para disa ditësh, historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë, tha ai, ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së. Çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje? Është një problem shqetësues në Kosovë.
Kadri Veseli: Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqinj të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …
Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…
Kadri Veseli: …pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi. Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje për to kur të dojë.