Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar sot në hapje të seancës që deputetët të përmbushin detyrimet ndaj institucioneve, duke qenë sa më aktivë. Ai ka thënë se ky vit duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha
“Edhe pak javë, Republika e Kosovës feston 10-vjetorin e pavarësisë. Gjatë këtij rrugëtimi ne kemi pasur shumë suksese, por edhe sfida, të cilat i kemi kaluar së bashku.
Uroj që ky vit të jetë vit i vendimeve të mëdha në interes të shoqërisë dhe shtetit tonë. Të nderuar deputetë, ju ftoj që të jeni sa më aktiv dhe t’i përmbushim detyrimet që kemi ndaj institucionit më të lartë shtetëror.
Me këtë rast falënderoj edhe gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile për bashkëpunimin konstruktiv”, ka thënë ai në hapjen e seancës, që shënon edhe hapjen e sesionit pranveror në Kuvend.