Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar heroin Luan Haradinaj në 23 vjetorin e tij.
Ai ka thënë se Luani ishte një nga luftëtarët e parë të UÇK-së, dhe rruga që mbanë emrin e tij në Prishtinë, i kujton atij rrugëtimet e vështirë që ka bërë me të gjatë luftës.
Ky është postimi i plotë i tij:
23 vjet më parë, ra në fushën e betejes Luan Haradinaj, njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rruga që mban emrin e tij, më kujton rrugëtimet e vështira që kam bërë me të kur jemi nisur prej Tropojës, dhe kemi kaluar kufirin afër Rrasës së Zogut për të dalë në Jabllanicë. Lajmi për vrasjen e tij na tronditi rëndë të gjithëve dhe ende sot e kujtoj me dhimbje atë moment.
Rruga që zgjodhi Luani, ishte rruga fisnike e luftës për liri që ka bërë të mundur ditët e pavarësisë që gëzojmë sot. Sakrifica sublime e tij dhe e shumë heronjve të tjerë, duhet të shërbej si burim frymëzimi për të gjitha brezat e ardhshëm, të cilët nuk duhet ta marrin lirinë të mirëqenë. I paharruar qoftë kujtimi i Luanit dhe i gjithë luanëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që me gjakun e derdhur shkruajtën kapitullin më të ndritur të historisë bashkëkohore të kombit shqiptar.