Epilogu

Veseli vizitoi për herë të parë Shqipërinë ilegalisht në 1991, lëvizi me kamionë të mbushur me pula

Kadri Veseli në një emision në Top Channel i kishte rrëfyer disa nga momentet më interesante të jetës së tij. Ai kishte treguar se si kishte shkuar ilegalisht në Shqipëri dhe cilat ishin mjetet e transportit.

“Në Shqipëri kam ardhur në vitin 1991, herën e parë kur kam ardhur ishte për shkak të kërshërisë studentore, ishte vizitë ilegalisht, nga pjesa e Gjakovës kemi kaluar në Tropojë, rreth 2 javë kam qëndruar, isha vet i treti, kemi lëvizur me lloj lloj mjete të transportit, nga autobusët pa xhama e deri në kamiona të cilët ishin të mbushur me pula të cilët vishin nga Kakavija, pastaj jemi rikthyer në Kosovë, por aty kemi qëndruar tek njerëzit në Shqipëri të cilët na kanë pritur shumë mirë, unë isha thellë në aktivitetet klandestina por këtë herë erdha për ta parë Shqipërinë”.

Sipas Kadri Veselit, Shqipëria është si nëna, gjithmonë të pëlqen dhe ki qejf me pa ma mirë.

Kadri Veseli u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në Mitrovicë. Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Aktivitetin politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK).

Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK-së), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Më 1991 ai shkon në Shqipëri.

Në Tiranë takohet me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Ndërsa në vitin 1993 mori pjesë në një mbledhje të thirrur nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.

Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë me shumë sukses deri në përfundim të luftës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake të Serbisë (24 mars 1999), ai me njësitet e tij të ZKZ-së do të jetë burimi i vetëm i informacionit për lëvizjen dhe ndodhjen e forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja. Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Mund të thuhet se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është formacioni i fundit i UÇK-së, (pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës), i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së që u mbajt më 27 janar të vitit 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar i kësaj partie.

Veseli u votua Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 8 dhjetor 2014. Ai është paraparë të bëhet kreu i partisë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili e liroi postin për shkak të detyrimeve kushtetuese, për të marrë postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Veseli u rizgjodh si Kryetar i Kuvendit më 7 shtator 2017./ Insajderi.com

Exit mobile version