Epilogu

Veton Surroi 1996: Rugova nuk është Kosova

(Botuar me 23 Prill 1996 në KOHA JONE)

-Intervistë me kryeredaktorin e Revistës “Koha” Veton Surroi-

Pyetje: Sipas lajmeve të fundit,  Revista “Koha” që ju drejtoni është bllokuar për disa ditë nga autoritetet serbe. A mund të na sqaroni mbi incidentin e ndodhur dhe mbi gjendjen në të cilën ndodheni në botimin e Revistës “Koha”?

Shkas për pengimin e shtypjes së revistës “Koha” nga ana e policisë serbe ishin disa fotomontazhe karikaturiale, satirike, të cilat ne i botuam me fytyrën e Presidentit Milosheviç. Policia jashtë normave ligjore e mbylli shtypshkronjën për dy ditë, e ndërpreu shtypin e gazetës, iu kërcënua të gjitha shtypshkronjave të tjera private që të mos e shtypin “Kohën” përderisa të mos i prezantojnë materialet e numrit tjetër. Ne nuk i prezantuam materialet. Nuk ia dorëzuam policisë e as prokurorisë dhe mbajtëm këtë qëndrim deri në fund. Tani jemi në pozitë ku ende ftohen në polici gazetarët tanë dhe redaktorët teknikë e njëkohësisht ende është e paqartë se a do të ngrihet çështja penale kundër nesh. Si një ndër intelektualët e shquar të Kosovës, a mund të na bëni një situatë të shkurtër dhe në përgjithësi për gjendjen aktuale në Kosovë?

Gjendja prej disa vjetësh nuk ka ndryshuar. Jemi në gjendje okupimi. Nga njëra anë domethënë nga ana e shqiptarëve, jemi në gjendje pritjeje për çfarë do të jenë hapat e ardhshëm politikë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, me pretendimet që kjo çështje të internacionalizohet dhe nga ana tjetër pushteti është mjaft komod me këtë pozitë meqenëse përkundër vlerësimeve të deri tanishme se Serbisë i kushton mbajtja e Kosovës me këtë gjendje, mund të them se ekonomikisht Serbia për herë të parë nuk paguan për mbajtjen e çështjes së Kosovës, por përkundrazi nxjerr përfitime nga sistemi tatimor, me  tagrambledhësit e ndryshëm. Pala e tretë në këtë konflikt, domethënë bashkësia ndërkombëtare, ka treguar një mospërfillje rreth çështjes së Kosovës, përkundër deklarimeve verbale. Pas procesit të Dejtonit zhvillimi i gjërave deri më sot, tregon se mund të ndodhë fare lehtë që as sivjet të mos merret në shqyrtim çështja e Kosovës. Ndërsa gjasat që të zgjidhet në mënyrë që të përmbushen aspiratat e popullit shqiptar zvogëlohen gjithnjë.

Ku i gjeni arsyet në këtë që thoni ju, domethënë që bashkësia ndërkombëtare edhe në këtë vit nuk do ta marrë në shqyrtim çështjen e Kosovës?

Çështja e Kosovës investon një kurth për Serbinë. I vetmi kurth për Serbinë është se nuk mund të nxjerrë para nga fondi monetar ndërkombëtar, nga bankat ndërkombëtare. Përderisa të mos e zgjidhë çështjen e Kosovës do të thotë që qeveria e Beogradit nuk mund të jetë pjesëmarrëse në të gjitha institucionet financiare, të cilat janë ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë ndërkohë ka filluar njohja e shtetit të ri jugosllav, domethënë të Federatës Serbo Malazeze, e cila është një federatë e ndërtuar me dhunë, pa legalitet dhe pa legjitimitet. Pra ka filluar njohja ndërkombëtare e të drejtës serbe, gjë që shqiptarët i vë në një pozitë të palakmueshme në negociatat e ardhshme. Dhe në kontekstin ndërkombëtar duhet shikuar se brenda këtij viti priten zgjedhjet në Rusi, të cilat i pret Millosheviçi me një shpresë që të rritet pjesëmarrja komuniste në pushtet. Priten zgjedhjet në Bosnjë dhe më duket se pala serbe pret që të vijnë deri tek mosmarrëveshjet e reja kroato-myslimano, priten zgjedhjet në Amerikë, dhe së fundi në fundin e vitit do të ketë zgjedhje për të ashtuquajturin parlament federal të Jugosllavisë. Në tërë këtë proces bashkësia ndërkombëtare është e interesuar ta ketë Millosheviçin në anën e saj posaçërisht rreth Bosnjës dhe nuk do të bëjë shumë presion ndaj Millosheviçit, meqenëse ende i nevojitet pjesëmarrja e Millosheviçit në procesin e Dejtonit lidhur me Bosnjen. Në këto kushte është vështirë të imagjinohet që të mund të vijë deri tek një presion më i madh ndaj Millosheviçit, përkundrazi mund të ketë, pothuajse së shpejti do të verifikohet, madje fare lehtë që Jugosllavia e këtillë e re të pranohet në organizatën e sigurimit dhe bashkëpunimit europian me një kusht të vogël që të lejohet prania ndërkombëtare në Kosovë dhe kjo do të thotë një hap më tutje në kyçjen e Beogradit në institucionet ndërkombëtare.

Problemi kryesor në të cilin është përfshirë çështja e Kosovës së fundi është objekti i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë që sipas burimeve edhe pala serbe e ka pranuar. Ndërkohë asnjë hap më tej nuk ka. Ju si e gjykoni këtë perspektivë bisedimesh dhe si e përjeton populli i Kosovës një hap të tillë?

Është e padyshimtë që bisedimet duhet të zhvillohen. Problemi është se në cilat kushte, në cilën kornizë zhvillohen këto bisedime. Pala serbe tani për tani nuk është e interesuar dhe përkundrazi është duke i përmirësuar pozicionet e veta ndërkombëtare. Pala shqiptare do të mund të vijë p.sh. në fund të këtij viti, në një situatë ku duhet të bisedojë për zgjidhjen objektivisht brenda Republikës Federale të Jugosllavisë. Unë shoh që nëse vazhdojnë këto kushte, nëse përmbyllet ky proces i bisedimeve, atëherë duhet arritur në një konsensus të ri brenda faktorit politik shqiptar se cilat janë zgjidhjet e mundshme, cili është procesi i mundshëm e të mos hiqet dorë njëkohësisht nga pavarësia.

Po a mendoni se ka ardhur koha dhe momenti i përshtatshëm për fillimin  e këtyre bisedimeve?

Koha për bisedime ka qenë gjithnjë. Problemi është se për bisedime duhen dy palë. Kosovarët kanë gabuar në idealizimin e nocionit të dialogut. Dialogu vjen atëherë kur ekziston një baraspeshë mes palëve të konfrontuara. Shqiptarët në Kosovë kanë qenë gjithnjë në pozitë të të rrahurve, të cilët kërkojnë që të bisedojnë me atë që i rreh për të ndërprerë rrahjen. Kjo është një pozitë absurde, të cilën natyrisht i forti nuk ja lejon vetes. Mund të vijë situata kur Serbia mund të ketë interes të drejtpërdrejtë që t’i hyjë dialogut. Shkaku kryesor do të jetë ekonomik sepse dihet që me të vërtetë nuk mund të hyjnë në institucionet ndërkombëtare financiare e tani është në pozitë kur i nevojiten paratë më shumë se çdo gjë tjetër. Me atë kombinim interesash atëherë shqiptarët duhet të shikojnë se cilat janë mundësitë reale, c’mund të zgjidhet sot, ç’mund të lihet për nesër.

Si e gjykon inteligjenca e Kosovës ndryshimin e obsioneve të para katër vjetëve, qoftë të liderit të Kosovës, Rugova, qoftë të liderit të Shqipërisë Berisha, të cilët lëshuan në objektivat e tyre gjer në pranimin e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Kosovë?

Tani unë, për sa i përket Presidentit Berisha, mendoj se përcaktimi i tij ka mbetur i njëjtë që kur është zgjedhur President. Ata të cilët i kanë përcjellë me vëmendje politikën e jashtme të Shqipërisë dhe sidomos në lidhje me Kosovën, kanë parë angazhimin e Shqipërisë në respektimin e kartës së Helsinkit edhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Për sa i përket Presidentit Rugova, as ai nuk e ka ndryshuar qëndrimin për sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës në një zgjidhje të shtetësisë, apo siç thotë ai të shtetit sovran neutral. Pra problemi i politikës mbarëshqiptare megjithëse mbetet në kuadrin se në asnjë rast nuk është bërë një elaborim i plotë i çështjes së Kosovës me dimensionin e vet të shkeljes së të drejtave të njeriut, me dimensionin e vet të nevojës, të dëshirës për vetvendosje të popullit shqiptar, me kostelacionin e përgjithshëm ballkanik dhe me kostelacionin e përgjithshëm europian. Natyrisht kurrë nuk është vonë për këto gjëra dhe mund të bëhen edhe sot.

Megjithatë bashkësia ndërkombëtare duket se ka pësuar një farë ftohje në drejtim të problemit të çështjes së Kosovës ndërkohë që është marrë shumë me procesin e paqes në Bosnje. A mendoni se shqiptarët duhet të fillojnë bisedimet pa kushte të caktuara, ndërkohë që pasi të fillojë procesi i bisedimeve në tavolinë të ulen të gjitha opsionet dhe gjatë rrugës të zgjidhen të gjitha problemet e tjera?

Është në zhvillim e sipër një politikë e jashtme unike e të mëdhenjve rreth Ballkanit. Mirëpo as që duhet pritur që të jetë unike dhe do pritur natyrisht që të ketë lëvizje andej e këndej, që ndoshta është mirë për ne. Së dyti, shqiptarët rreth çështjes së Kosovës dhe shqiptarët në të dyja anët e kufirit duhet të hyjnë me parakushtin e Helsinkit, por parakushtin e Helsinkit të elaburuar në mënyrë të gjerë, domethënë nuk nënkuptojmë vetëm pandryshueshmërinë e kufijve me dhunë, por nënkuptojmë edhe një dimension shumë të gjerë të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave ndërkombëtare, të ngritjes së një sistemi të vetadministrimit dhe të vetëvendosjes pa shkëputje, e cila, qoftë si fazë tranzitore, qoftë si një akt multilateral i marrëveshjes, mund t’i shërbejë në mos jo zgjidhjes, përmirësimit të pozitës së qytetarëve të Kosovës dhe mundësimit që nëpërmjet mekanizmave demokratike të realizohen aspiratat e popullit të Kosovës.

Përfundimisht cili është objeksioni juaj mbi të ardhmen e kësaj çështjeje?

Ne duhet të dimë se cilat janë aspiratat tona të ardhshme. Jemi populli më i varfër në Ballkan, jemi populli më i ri për nga mosha në Ballkan. Kemi një dinamikë të jashtëzakonshme dhe për herë të parë historikisht vihemi në një rirënditje botërore e jemi në anën e fituesve të asaj rirënditje botërore. Kjo natyrisht vlen për Shqipërinë, por mund të vlejë për shqiptarët në tërësi. Në atë drejtim duhet që çështjen e Kosovës ta kundrojmë edhe si një test gjithëshqiptar për rirregullimin e marrëdhënieve për lehtësimin e komunikimit kulturor, ekonomik, politik mes nesh, por nga ana tjetër duhet ta kundrojmë edhe si një test të rirregullimit ballkanik, me të cilin do të mund të realizohen aspiratat e përhershme të popullit shqiptar të Kosovës edhe të synimeve të tyre për bashkim. Në këto kushte unë mendoj se një politikë afatgjatë dhe një konsensus i bardhë politik në Shqipëri, në Kosovë dhe në shqiptarët e Maqedonisë do të mund të jetë një prej provave shumë të mëdha dhe ngritjes së peshës së faktorit shqiptar në Ballkan, i cili do të ketë natyrisht reperkursionet e veta dhe në jetën ekonomike dhe në atë politike të shqiptarëve në Ballkan.

Pas një muaji në Shqipëri janë zgjedhjet. A ndjehet interesimi i politikës kosovare dhe shqiptarë atje për këto zgjedhje dhe a mund të na thoni diçka mbi “fenomenin Rugova”, nëse mund ta quajmë kështu, i cili nuk ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me opozitën, ndërkohë që me pozitën ka ndodhur e kundërta. Nëse vijnë forcat e opozitës në pushtet, cili është reagimi që mund të kenë, qoftë politikanët kosovarë, intelektualët kosovarë dhe mbarë populli shqiptar i Kosovës?

Së pari Rugova nuk është Kosova. Ekziston një interesim i jashtëzakonshëm dhe i përhershëm i shqiptarëve të Kosovës për zhvillimet në Shqipëri dhe ekziston jo vetëm  një interesim por edhe një nevojë e shqiptarëve të Kosovës që Shqipëria të forcohet, të institucionalizohen mekanizmat e demokracisë, institucionet e demokracisë, të forcohet ekonomikisht, ushtarakisht dhe në të gjitha aspektet.  Nga ky interesim rrjedh edhe një përgjegjësi e madhe e kosovarëve, që në asnjë mënyrë të mos ndikojnë në keqkuptimin e proceseve politike në Shqipëri, përkundrazi, cilado forcë që të fitojë në Shqipëri, pra do ta ketë po atë Kosovë aty ku është, po atë problem të hapur dhe do të ballafaqohet doemos me të. Unë gjithmonë kam përsëritur që edhe po të mos ishin 2 milion shqiptarë, në Kosovë do të ishte një komb tjetër. Vetë prania e krizës në kufi është objektivisht pjesë e interesit, pjesë e politikës së atij shteti, e jo më në këtë rast që jemi të një gjaku, të një gjuhe.  Ajo që unë besoj se duhet t’u interesojë kosovarëve është që procesi i konsolidimit të demokracisë, i cili ka filluar të zhvillohet më tutje, të forcohet, që ky proces i tranzicionit ta gjejë Shqipërinë gjithnjë e më të fortë.

Ju si intelektual a keni paragjykime për vazhdimin e procesit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, nëse në pushtet vjen opozita e sotme?

Unë absolutisht nuk kam paragjykime ndaj asnjë politikani shqiptar. Shumicën e tyre i njoh, edhe në pushtet, edhe në opozitë. Deklarimet e tyre të sinqerta rreth nevojës së integrimit të Shqipërisë në një model politik europian, euro-perëndimor i kuptoj të sinqerta. Nëse ruhen themelet e një politike afatgjatë të Shqipërisë për ekonomi të tregut, për një ekonomi liberale me premisat e veta sociale, për një demokraci e respektim të të drejtave të njeriut, për nevojën e trajtimit të çështjes kombëtare dhe fundja për nevojën e gjetjes së Shqipërisë brenda familjes euro-perëndimore, Shqipëria do të jetë fatlume.

Intervistoi: Martin Leka

Exit mobile version