Stuhia që ka përfshi pasditen e sotme Shqipërinë, ka shkaktuar viktimën e parë në Fier.
Ai është 50-vjeçari Sabri Vriga, i cili është goditur nga rryma elektrike, derisa po riparonte një defekt në fshatin Krujan.
Ndërkohë, moti i keq dhe reshjet e shiut përmbyten akset nacionale.
Autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar për shkak se niveli i ujit shkoi deri në lartësinë e trafik-ndarëses. Për këtë arsye policia devijoi trafikun në rrugët dytësore.
Shumë mjete mbeten të bllokuara në rrugë, ndërsa niveli i ujit po rritet. Edhe rruga drejt aeroportit pati probleme me trafikun.
Disa biznese në zonë janë përmbytur. Edhe në Tiranë ka probleme me banesat e ulta, ndërsa për shkak të shikueshmërisë së ulët ndodhi edhe një aksident në zonën e Unazës së Re në Tiranë, por fatmirësisht pa viktima.
Rruga e Kombit në zonën e Milotit është bllokuar për një kohë të gjatë dhe sipas drejtuesve të automjeteve që ndodhen atje, ka ndodhur edhe një aksident me pasojë tre të lënduar.
Telashe nga stuhia dhe përmbytjet ka pasur edhe në pjesë tjera të Shqipërisë.