Epilogu

Viti 1997, koha kur në Shqipëri u njoftua arrestimi i Hashim Thaçit për shkak të bartjes së armëve

Në komunikatën nr.211, datë 30.7.1997 të Ministrisë së Brendshme, ndër të tjera jepen edhe dy njoftime nga komisariati nr.1, për arrestim për posedim të një sasie të madhe armësh dhe për vrasje. Emri i Hashim Thaçit (duke u bazuar në deklaratat e më pasme që konfirmojnë këtë person) shkruhet gabim në “Bashkim Hysen Thaçi”, thuhet në tekstin e botuar pardje nga Kastriot Dervishi.

“Dokumenti për arrestimin tim mund të gjendet në Komisariatin numër një të Tiranës…U kam thënë mos më keqtrajtoni kam familje në Kosovë. Këto gjëra që mi keni zënë janë logjistikë për UÇK-në. Jam ushtar i UÇK-së, mos më nxirrni në televizion sepse e kam familjen në Kosovë dhe Serbia mund t’i keqtrajtojë ata”, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë se ish-cimeri i tij Ali Ukaj disa ditë para vrasjes pretendonte se kishte zbuluar vrasjen e atdhetarit Remzi Hoxha.

“Sipas Aliut, Remzi Hoxha kishte zbuluar një takim të fshehtë mes Sali Berishës, Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Glogorovit në Ohër. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte kidnapuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut çonte direkt tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës”.

Thaçi thotë se Ali Ukaj ishte në dijeni edhe për vizitat e Arkanit dhe Legias në Tiranë.

Ballkani.info ekskluzivisht ka siguruar raportin e arrestimeve të ditës së vrasjes së Ali Ukajt. Dhe aty potencohet saktësisht se bëhet fjalë për arrestimin e Bashkim Thaçit, e jo të Hashim Thaçit, siç pretendon Kastriot Dervishi. Pra komunikata e datës 30 korrik 1997 e MPB-së së Shqipërisë del të jetë e saktë. 

Po ashtu, Ballkani.info merr vesh se si i dyshuar për vrasjen e Ali Ukajt ishte arrestuar kushëriri i tij, Selman Ukaj, i cili më pas është liruar.

“Selman Ukaj është mixha i Ali Ukës dhe ai është burgosur si i dyshuar për vrasjen e Ali Ukës”.

Në anën tjetër, Bashkim Thaçi është djali i axhës së Hashim Thaçit. Bashkim Thaçi ishte burgosur për armë, të cilat ishin të dedikuara për UÇK-së, mëson Ballkani.info. 

“Me intervenimin e Xhavit Halitit tek Gjeneral i Armatës së Shqipërisë, Adem Çobani, lirohet Bashkim Thaçi. Policia kur kishte shkuar në banesë për ta arrestuar Selman Ukajn, për vrasjen e Ali Ukajt aty ka gjetur armë, armë këto të dedikuara për UÇK-në. Banesa ka qenë në emër të Bashkim Thaçit”, thonë burimet tona.

Sipas tyre, në atë banesë ka banuar edhe Ali Ukaj dhe me këtë rast është arrestuar Bashkim Thaçi. 

“Pas eskpertizës balistike të armëve vërtetohet se armët nuk janë përdorur për ndonjë vrasje dhe me dëshminë e Xhavit Halitit se ato armë janë dedikuar për UÇK-së, lirohet Bashkim Thaçi”, thonë tutje burimet e Ballkani.info.

Në vitet ’96 dhe ’97 Aliun në Tiranë e vizitonte një i kushëri i afërt i tij, Selman (Bajram) Ukaj me qëndrim në Zvicër. Pikërisht ai ishte i dyshuar për vrasjen e Aliut, mirëpo, sipas raportimeve ai ishte liruar ose kishte ikur nga Spitali Psikiatrik.

Exit mobile version