Vizita në Amerikë që po përçan Kurtin me Osmanin, ka disa javë që po zhvillohet “betejë” në mes të dyve
Në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentes Vjosa Osmani, ka filluar një përçarje.
Siç kupton Albanian Post, krisja nuk është e vonshme, por ka disa javë që po zhvillohet “betejë” në mes të dyve.
Burime të Albanian Post pranë Departamentit të Shtetit Amerikan thonë se arsye për këtë konflikt Kurti – Osmani (por që është zgjeruar edhe në mes të këshilltarëve të tyre), është nënshkrimi i një marrëveshjeje financiare me agjencionin qeveritar amerikan të njohur si Sfidat e Mijëvjeçarit apo MCC.
Përplasjet janë konfirmuar për Albanian Post edhe nga burime brenda-qeveritare.
Sipas vendimit të Qeverisë, MCC tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të investimit në gaspërçuesin dhe projekteve të tjera energjetike.
Kryeministri Kurti po e sheh si një mundësi të mirë ceremoninë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që planifikohet në Uashington, si për t’i çelur rrugën drejt një vizite në SHBA.
Vizitë që i ka munguar prejse është bërë kryeministër dhe vazhdon të mbetet lideri i vetëm kosovar në këtë post që nuk ka marrë akoma ftesë për udhëtim zyrtar në Uashington.
Por, njëjtë si Kurti, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e dëshiron edhe Presidentja Osmani.
Ajo, duke u thirrur në praktikat e mëhershme që është presidenti/ja e shtetit që i nënshkruan këto marrëveshje, ka kërkuar të jetë nënshkruese përsëri.
Siç dihet, vite më parë ishte Hashim Thaçi që si President kishte nënshkruar marrëveshjen paraprake me MCC, në prani të kongresistëve dhe senatorëve amerikanë.
Një vizitë dhe takime të nivelit më të lartë i mungojnë edhe Osmanit në SHBA. Presidentja ka qenë atje muaj më parë, por s’kishte arritur të takonte as Sekretarin e shtetit, Antony Blinken, dhe as Zëvendës-presidenten, Kamala Harris, përkundër kërkesave që janë dërguar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Uashington.
Përkundër se ka javë që po vazhdon dualiteti, AP mëson se ende nuk është definuar se kush do të nënshkruajë marrëveshjen.
Sa i përket rregullimit me ligje, apo Kushtetutë të Kosovës, për këto raste akti më i lartë juridik është “i heshtur”.
Kushtetuta i jep primat presidentes si udhëheqëse e politikës së jashtme, por edhe ratifikuese e marrëveshjeve, megjithatë i lejon edhe Kryeministrit apo ministrave dhe ambasadorëve të nënshkruajnë marrëveshje me autorizime përkatëse.
Për më shumë, MCC kërkon që marrëveshja të ratifikohet edhe në Kuvend, gjë që shton argumentet e Kurtit si kryeministër që të jetë ai nënshkruesi e jo Osmani.
Megjithatë, praktika në anën tjetër, thotë se gjatë viteve përkatëse si në periudhën e Presidentes Atifete Jahjaga, por edhe në atë të Hashim Thaçit, ishte Presidenti/ja i/e Republikës si personi kryesor në takime me MCC dhe nënshkrime të tilla.
AP ka dërguar pyetje rreth kësaj çështje në Presidencë dhe Qeveri të Kosovës. Derisa nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje prapa, nga Presidenca kanë thënë se janë në pamundësi të kthimit të një përgjigjeje për shkak se Osmani deri të martën vonë ka qenë në udhëtimin e saj zyrtar në Katar.
Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar dy herë udhëtimin zyrtar në Amerikë, por ende nuk e ka realizuar një.
Ai tashmë ka paralajmëruar një vizitë në maj “të gjatë dyjavore” në SHBA.
“Do shkoj dhe do rri aq gjatë sa do pyesin kur do kthehem”, deklaroi para pak ditësh Kurti në një emision në Radiotelevizionin e Kosovës.
Pyetjet e shpeshta nga gazetarët për vizitën e shumëpritur në SHBA kanë ardhur edhe pas presionit të vazhdueshëm që Opozita ka bërë në këtë drejtim.
I fundit ishte ish zëvendës-kryeministri, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ia përkujtoi Kurtit vizitën e menjëhershme të Avdullah Hotit, sa ishte kryeministër, në Uashington.
Opozita ka provuar në vazhdimësi të tregojë se Kurti as nuk pritet dhe as nuk preferohet nga amerikanët. Kjo edhe për shkak të kaluarës së tij konfliktuoze me përfaqësues të SHBA-ve dhe ambasadorë amerikanë në Kosovë.
“Ndërsa një vit Albin Kurti nuk po arrin të draftojë agjendë dhe nuk po dinë kë ta vendosë në agjendë, sepse nuk po e pret askush. Tash po sillemi sikur nuk kemi partneritet me ta. Kjo Qeveri akoma është në kërkim të agjendës së kësaj qeverisje. Akoma janë duke u mësuar se çfarë duhet bërë. Unë po e shoh se do t’i shkojë duke provuar për të mësuar e nga ana tjetër duke i sjellë dëme vendit”, deklaroi të hënën Selmanaj.
Kurti vazhdon të jetë Kryeministri i parë në historinë e Kosovës që deri tash nuk ka qenë i ftuar në Uashington për takime të nivelit të lartë.
Paraardhësi i tij Hoti kishte arritur të siguronte takim edhe me Presidentin Donald Trump në fund të mandatit të ndërprerë, ndërsa Presidenti/kryeministri Thaçi ka pasur takime të shpeshta në nivelin e Sekretarit të Shtetit, Michael Pompeo apo paraardhësve të tij në anën e demokratëve Hillary Clinton dhe John Kerry.
Takimet e liderëve të Kosovës me liderët e Amerikës kanë zanafillë të hershme që me takimet e Ibrahim Rugovës në Uashington, në kohën e rezistencës paqësore.
Edhe liderët e opozitës kishin arritur të organizonin takime vetanake, përfshirë edhe një takim të ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, me Presidentin Donald Trump, gjatë Lutjeve të Mëngjesit.
Çka është MCC?
Partneriteti i Kosovës me agjencinë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është themeluar në dhjetor 2015. Në takimin vjetor të kësaj agjencie, Bordi i MCC-së, i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, pati përzgjedhur Kosovën për të zhvilluar programin “kompakt” të ndihmës, program i gjerë investimi mbi 300 milionë dollarë.
Procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së ishte udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Pas përfundimit të mandatit të Presidentes Jahjaga, zhvillimi i programit të MCC-së i është bartur Qeverisë së Kosovës. Bartja e procesit në Qeveri ka treguar sfidat për paaftësinë e qeverisë të përballet me një proces të rëndësishëm duke ndikuar në vonesat në formimin e ekipit nacional të Kosovës dhe akuzave për politizim të procesit.
Si rezultat i rënies në indikatorë, Bordi i MCC-së e uli programin për Kosovën për një kategori më poshtë, përkatësisht në programin “threshold”.
Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC) është agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e krijuar në vitin 2004 nga Kongresi amerikan.
E konsideruar shpesh si organizata më transparente në botë, ajo vepron ndaras nga Departamenti i Shtetit dhe USAID-i, dhe bazohet në nisma për shtetet në zhvillim, ku vetëm ato shtete që plotësojnë kriteret kanë të drejtë për ndihmë.
Kjo agjenci çdo vit ndan grante për shtete me të ardhura të ulëta dhe mesatare për kokë banori, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e varfërisë. /Albanianpost.com