Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë që ende nuk e ka diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje, çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
“Sa i përket mocionit, unë s’e kam diskutuar këtë çështje me Vetëvendosjen dhe as nuk e kam parë tekstin. Sapo të ulem e shqyrtoj mund të kem një përgjigje konkrete. Pozita do të duhej të ulej me opozitën dhe të negociojë për të gjitha ligjet”, ka thënë Osmani në një konferencë për media.
“Qeveria ka lobuar kundër çdo iniciativë që unë kam sjellë në Kuvend. Ata poashtu e kanë vonuar edhe ligjin për pandeminë, i cili ka qenë i domosdoshëm për të krijuar bazën ligjore për vet veprimet e tyre”.
Osmani ka theksuar se sa i përket bashkëpunimit me partitë politike, partner të vetëm të koalicionit e shoh vetëm Vetëvendosjen.
“Sa i përket bashkëpunimit politik në të ardhmen, unë e kam sqaruar që për momentin partnerë të vetëm dhe të pakontestueshëm, sa i përket koalicioneve parazgjedhore e shoh vetëm Lëvizjen Vetëvendosje”.
“Nëse ka zgjedhje të reja, besoj që kam qenë e qartë se kë e shoh partner”, ka thënë Osmani.