Opozita nuk e ka mbështetur Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ndonëse kjo pikë ka kaluar me mbështetjen e deputetëve të pushtetit me 58 vota për, 3 abstenime nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetët Bekim Arifi dhe Daorsa Kica-Xhelili.
Shefi i GP të LDK-së, Arbeni Gashi ka propozuar që projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të mos votohet pa pasur gjithpërfshirje.
Ai ka thënë se ligjet duhet të jenë në pajtueshmëri me njëri-tjetrin.
Gashi ka thënë se deri sa të ketë konkluzion për nismën për vettingun të mos votohet as ky projektligj.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike.
“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë nuk është mire që të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin aty”, ka thënë ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky projektligj do të vihet në votim sot në parim, e pastaj të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndërkaq shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se janë darkorduar që pronësinë mbi vettingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.
“Prapë jemi tu hy në një proces ku bëhet një ndarje jo me fajin e opozitës. Jeni duke e shty një ligj i cili është antikushtetues . Dje kem diskutuar në formën më përmbajtjesore për procesin e vettingut. Në qoftë se hyni në këtë drejtim, ministre athëte ju them këtu se jeni pa ne. Mendoj që është momenti që të shtyhet. Dhe kërkoj që të tërhiqet të diskutojmë të shtojmë në pako në mënyrë që të shtyjmë përpara procesin e vettingut përpara”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse këto ligje shtyhen nga një agjendë e një partie, nuk do të ketë konsensus.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se janë pajtuar në parim që çështjen e reformës në drejtësi të mos kufizohet vetëm në vetting por edhe në këtë të Byros së konfiskimit.
“Mendoj që ajo që është e rëndësishme sot është konsensusi politik. Konsensusi në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë dy pako, dy ligje në pako që beson që janë të lidhura dhe bëhet fjalë për reformën në drejtësi.
“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirjen. Ju kryetar i Kuvendit keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar. Ne qëndrimin mbështetës në parim për reformën e kemi dhënë”, ka thënë ai.
Kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca ka thënë se qëndrimi i tij ka qenë ky që pasi e ka dërguar këtë projektligj në Komisionin e Venecias i ka pritur opinionet e këtij komisioni duke shtuar se i ka lexuar ato me vëmendje.
“Kam besim në komisionet e Kuvendit. Komisioni i cili e trajton mendoj që e ka aftësinë me i përfshi këto opinione të komisionit të Venedikut. Unë mendoj që duhet të shkojmë deri në atë pikë që të vlerësojmë se komisioni do i përfshijë opinionet e Venedikut apo jo”, ka thënë ai.