Epilogu

Vuçiç krahason Kosovën me Nagorno-Karabak dhe kërcënon me luftë

jë deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili e krahason konfliktin me Kosovën me atë të Nagorno-Karabak ka ngritur reagime të shumta në Kosovë.

Vuçiç tha për gazetarët se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të ketë sipas tij ka përmendur luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.

Ai theksoi që Beogradi duhet të punojë për arritjen e zgjidhjes përmes kompromisit me Kosovën.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiç.

Vuçiç theksoi se Serbia presionin më të madh e ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës, pa marrë asgjë në këmbim.

“Detyrimi ynë është që të përballemi me sfidat. Kurse përballë presioneve më të mëdha që janë rreth Kosovës dhe përpjekjeve për ta detyruar Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës, e për këtë të mos marrë pothuajse asgjë, me dëshirën tonë gjithmonë të shprehim qëllimin tonë për të biseduar dhe për të arritur një zgjidhje kompromisi. Sigurisht nuk e pranojmë poshtërimin e qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve tanë në Kosovë”, tha Vuçiç.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’u përgjigjen kërcënimeve për luftë të dhunshme, të bëra nga Vuçiçi.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.

“Deklarimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Ato janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”, u shpreh kryeministri Hoti./euronewsalbania/

Exit mobile version