Epilogu

VV ankohet se 1700 zarfe të diasporës nuk po proceoshen nga KQZ’ja, paralajmëron ankesë në gjykata

KQZ’ja është vënë në lëvizje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me vonesë nga diaspora pas vendimit të Gjykatës Supreme që e detyroi t’a bënte një gjë të tillë.

Megjithatë nga Lëvizja Vetëvendosje po ankohet se Sekretariati i KQZ’së nuk po e zbaton të plotë vendimin e Supremes, meqenëse sipas tyre krye shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, nuk është duke lejuar që të trajtohen të gjitha plikot me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Siç potencon komunikata nga gjithë votat e ardhura me vonesë nga diaspora rreth 1700 kanë mbetur jashtë procesit të numërimit.

Sipas tyre një gjë e tillë është shkelje, dhe paralajmërojnë se përsëri do t’i drejtohen Gjykatave për të kërkuar zbatimin në plotëni të vendimit të Supremes nga KQZ’ja.

Megjitahtë zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, dje në një konferencë për media kishte paralajmëruar se do të verifikoheshin të gjitha plikot me vota të ardhura me vonesë nga diaspora, duke treguar se ato që nuk do të dalin valide nuk do të procesohen për numërim. Megjithatë mbetet të shihet nëse është kjo arsyeja se pse një numër i tillë i votave nuk po procesohen.

Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:

Sekretariati i KQZ nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Supreme

Vendimi i Gjykatës Supreme ishte shumë i qartë. Dispozitivi i tij saktësonte që pakot me fletëvotime nga jashtë Kosovës duhet të numërohen nëse ato janë dërguar me kohë pra, para datës 5 tetor.

Sot, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi nuk po i lejon që të gjitha pakot me fletëvotime të trajtohen, por vetëm një pjesë prej tyre duke lënë jashtë procesit të numërimit 1700 pako me fletëvotime. Kjo është shkelje e vendimit të Gjykatës Supreme dhe e të drejtës për të votuar të qytetarëve tanë. Po ashtu është tallje me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët po presin që drejtësia të vihet në vend pa ngurrim e pa mëdyshje.

Prej fillimit ka pasur hezitime të pavendta nga administrata dhe Komisioni Qendror Zgjedhor për një çështje e cila u vërtetua tashmë disa herë që është e qartë dhe është e drejtë që i takon bashkëatdhetarëve tanë.

Ne padyshim që jemi të detyruar t’i drejtohemi sërish Gjykatave dhe do të kërkojmë sërish që edhe ato 1700 pako me fletëvotime të mbetura të trajtohen. Por këtë herë jemi të detyruar të kërkojmë përgjegjësi edhe për mosveprim e për anashkalim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme. Madje për zvarritjen prej fillimit të procesit të trajtimit të këtyre pakove.

Nëse sonte dhe deri nesër në mëngjes Kryeshefi nuk i lejon stafin e KQZ që të procesojnë sipas vendimit të Gjykatës Supreme edhe ato 1700 pako me zarfe, ne do të procedojmë në gjykatë.

Exit mobile version