Me Myten e mytim korrupsionin thoshte dikur Albin Kurti për kryetarin aktual të Prizrenit, Mytaher Haskukën.
Por, jo që nuk e myten korrupsionin, mirëpo u korruptuan skajshëm, duke ua dhënë tenderë me qindra mijëra euro familjarëve të tyre dhe kompanive të afërta me Vetëvendosjen, njëjtë siç kishin bërë edhe në Prishtinë.
Dy prej njerëzve kryesorë të Vetëvendosjes në Prizren, Shefi i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prizren dhe Shefja e Kabinetit të Mytaher Haskukës, u kanë dhënë më së shumti tenderë familjarëve të tyre.
Madje, për këto abuzime me tenderë të Komunës së Prizrenit, është ngritur aktakuzë edhe ndaj Shefit të Zyrës së Prokurimit në Prizren për shkak të një kontrate të paligjshme në vlerë prej 358 mijë eurosh.
Ai akuzohet se shpërbleu familjarin e Drejtorit të Administratës në Qeverisjen e Vetëvendosjes, Osman Hajdarit, që edhe pas prishjes së koalicionit mes Nismës dhe Vetëvendosjes në Prizren, Hajdari kishte vazhduar të qëndroj afër Haskukës.
Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit vazhdon të punojë, pa guxuar kush ta suspendojë, sepse mbrohet nga Vetëvendosje atje, pasi që u ka kryer shërbime korruptive me tenderë.
Ndërsa, Mytaher Haskuka, që sipas Albin Kurtit e myt korrupsionin, ia ka dhënë hiç më pak se katër tenderë me mijëra euro babait të shefit të Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prizren, Adem Shabanajt.
Kompanisë NNT “Shabanaj”, Haskuka ia ka dhënë kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, në lagjen Arbana të Prizrenit” në vlerë prej 197, 645 euro, kontratën “Ndërtimi i rrugëve dhe kanalizimit në fshatin Kobaj të Prizrenit” në vlerë prej 39, 999 euro, kontratën “Rregullimi i rrugëve në fshatin Muradem” në vlerë prej 59, 961 euro dhe kontratën “Ndërtimi me elemente betoni i rrugës në Serbicë të Epërme, Lagjja Marki” në vlerë prej 33, 912 euro.
Për aferat korruptive të qeverisjes së Vetëvendosjes dhe kryetarit Mytaher Haskuka në Prizren nuk përfundojnë me kaq, pasi që edhe vetë shefja e kabinetit të Haskukës e ka “myt” mjaft shumë korrupsionin.
INTRAST SHPK është kompani e një prej familjarëve të saj, që është privilegjuar vazhdimisht nga Komuna e Prizrenit, në të shumtën e rasteve në kombinime me operatorë të tjerë ekonomikë.
Kjo kompani ishte krijuar në vitin 2017, me kapital themeltar 4 mijë euro. Por, pa asnjë konkurrencë, me qasje monopolistike, sipas kësaj videoje, ajo ka përfituar gjithsej 447,770 euro.
Pronar i kësaj kompanie thuhet se është Korab Shehu, i afërt i shefes së kabinetit të Mytaher Haskuken, Krenare Koqit, të cilës i është dhënë kontrata “Furnizimi me pajisje sinjalizuese dhe vendosja e tyre në Komunën e Prizrenit”.
Kontratë tjetër që kompania INTRAST SHPK kishte fituar në bashkëpunim me një kompani tjetër është edhe “Auditimi, inspektimi dhe analiza e riorganizimit të rrugëve në qytetin e Prizrenit” në vlerë prej 177, 500 euro.
Ndikimi korruptiv i shefes së kabinetit të Mytaher Haskukës nuk përfundon vetëm me këto.
Ajo e kishte “qerasur” me një grant investiv edhe motrën e vet. Dhe, ndonëse kjo ishte konfirmuar nga vetë Komuna e Prizrenit, asnjëherë nuk ishte bërë e ditur vlera e atij granti investiv.
Po ashtu, në fund të kësaj videoje shihet edhe një fotografi e përbashkët, duke festuar me mish e birra e deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, Drejtorit të Emergjencave, Faruk Dakaj, si dhe shefit të Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prizren, Adem Shabanaj.