Epilogu

VV fton edhe opozitën në dialog me Serbinë, Haradinaj i përgjigjet pozitivisht

Ka kaluar më shumë se një vit prej që kur janë pezulluar bisedimet Kosovë-Serbi. E, tash kur pritet të formohet qeveria e re, kërkohet që të ketë një përfshirje të të gjitha partive në procesin e dialogut.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ka deklaruar se dialogun do ta udhëheqë ai. Ndërsa, ka thënë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.

Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deklaron se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.

“Jemi të interesuar me e përkrahë në çdo temë të interesit nacional, pra nuk marrim pozicion dëmtues për Kosovën. Nëse ne e vlerësojmë jo me e përkrahë pozitën, po nëse ne e vlerësojmë se e përkrahim Kosovën do të përkrahim çdo temë. Unë e kam bërë një listë të temave në emër të Aleancës, në të cilat nëse qeveria e ardhshme, institucionet e ardhshme, ne nuk po e dimë realisht si do të shkojë formimi i qeverisë dhe institucioneve se po i shohim disa vështirësi, por sido që të jetë ne në tema të interesit nacional nuk e pengojmë qeverinë e vendit”, thotë ai.

I pyetur se a është AAK-ja e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë dhe të jetë pjesë e delegacionit shtetëror për bisedimet, Haradinaj i tha KosovaPress-it se e përkrahin vendin dhe se në tema të interesit nacional duhet të jenë të gjithë bashkë.

“Pse jo, e përkrahim vendin tonë, interesin e vendit tonë. Ju e dini sa i sfiduar kam qenë unë, se kam qenë i lënë vetëm prej opozitës, opozita nuk më ka përkrahë, gjegjësisht vetëm PSD-ja. E kemi penguar ndarjen e vendit, kemi penguar plot procese të rrezikshme për Kosovën, tani nuk është mirë me e zbeh Kosovën ose me e dobësua Kosovën. Ne duhet me qenë në tema të interesit nacional bashkë, demokracia vazhdon, sot kanë fituar këta, nesër fitojnë të tjerët, por interesi nacional duhet ta ruajmë”, thotë Haradinaj.

Përveç AAK-së, KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, parti të cilat do të jenë në opozitë, por zyrtarë të dy partive nuk i janë përgjigjur interesimit të redaksisë se a do të pranojnë të jenë pjesë e delegacionit për bisedimet me shtetin serb.

Konsensus dhe përfshirje të të gjitha partive politike në procesin e dialogut po kërkon shoqëria civile dhe analistët politikë.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që spektri politik të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo thotë se kanë kërkuar që Kosova të ketë një qëndrim unik të saj, i cili është i mbështetur nga të gjitha institucionet e vendit.

“Të ndërtojë konsensusin e brendshëm politikë të partive politike, por edhe mbi këtë konsensus e këtë strategji edhe të loboj me aleatët tanë ndërkombëtarë në të gjitha kryeqendrat evropiane edhe botërore për të shtyrë përpara qëndrimin e Kosovës. Këtë e kemi bërë pasi e konsiderojmë që çështja e dialogut Kosovë-Serbi është një çështje e interesit nacional, e cila shkon përtej një partie politike, apo një koalicioni qeverisës, por është një çështje e cila i përket të gjithë spektrit politik dhe të gjithë shoqërisë kosovare. Ne e dimë shumë mirë që nëse do të arrihet një marrëveshje në mes të dyja palëve ajo marrëveshje do të jetë marrëveshje ndërkombëtare dhe do të duhet që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, ku patjetër do të duhet edhe mbështetja e partive opozitare për ta shtyrë përpara, pra 2/3 e votave për ta shtyrë përpara këtë marrëveshje”, thotë ajo.

Krasniqi shton se partitë politike në vend duhet të bëhen bashkë në procesin e dialogut. Kjo sipas saj, do të ndikonte edhe në pozitën e Kosovës në këto negociata.

“Prandaj, edhe ne kemi kërkuar që konsensusi politikë të ndërtohet që në fazat e para të këtij procesi që ky konsensus të ndjekë të gjithë këtë proces, duke garantuar një llogaridhënie, një transparencë edhe tek qytetarëve. Por, edhe duke pasur një koordinim ndërmjet institucioneve, këtë duke u nisur nga praktikat e mira të cilat edhe vendet e tjera demokratike të botës i kanë për çështjet e interesit nacional, por mbi të gjitha duke u nisur te qëllimi i vetëm që Kosova duhet në çdo mënyrë të ruajë interesin e saj në këtë proces, duhet të garantojë mirëqenien e qytetarëve në këtë proces. Kjo mund të bëhet vetëm kur kemi një kohezion të brendshëm dhe vetëm kur ne arrijmë të ndërtojmë një qëndrim unik. Qëndrimet më përpara kemi pa që nuk kanë qenë unike dhe patjetër që kur kemi krerë institucional që flasin me zë të ndryshëm apo me qëndrime të ndryshme ajo drejtpërdrejtë dëmton edhe vet poz itën e Kosovës në këto negociata”, thotë Krasniqi.

Se duhet të ketë gjithëpërfshirje në procesin e dialogut e thotë edhe politologu Ramush Tahiri, sipas së cilit, dialogu me shtetin serb është çështje kombëtare dhe duhet të përfshihen të gjithë.

“Në dialog deri tash kanë qenë të përfshirë të gjithë përpos LVV-së, do të thotë të gjithë, në të gjitha format, edhe në Vjenë edhe në Bruksel. Por, tek ne është praktikë që kur të jesh në pushtet duket më lehtë, e kur të jesh në opozitë bëhesh më patriot, më atdhetar dhe fillon me kritikua. Dialogu është çështje kombëtare e Kosovës dhe duhet të jenë të përfshirë të gjithë. A do të pranojnë a jo e marrin përgjegjësinë para historisë si dhe përgjegjësinë para popullit. Do të ishte e udhës të marrin pjesë të gjithë në dialog dhe dialogu të nënshkruhet nga presidenti ose nga kryeministri i Kosovës duke respektuar parimet kushtetuese dhe legjitimitetin kushtetues”, thotë ai.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, kur Kosova ka vendosur taksë 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia.

Exit mobile version