fbpx
Lajme

VV-ja pret 10.000 qytetarë në tubim

Ngritja e tribunës në sheshin “Skënderbeu”, është një nga përgatitjet që Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë për aktivitetin që pritet të mbahet të premten.

Në sheshet kryesore të kryeqytetit, më 12 qershor, duke filluar nga ora 17:00, pritet të zërë vend tubimi publik i organizuar nga kjo parti, e përmes të cilit është thënë se do të shënojnë Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e formimit të Vetëvendosjes.

Kujdes të shtuar nga aktiviteti i LVV-së, ditë më parë, ka kërkuar Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke thënë, ndër të tjera, se “edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejt mund të shndërrohen në të dhunshme”.

E një njoftim i tillë nuk e ka brengosur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Ata e kanë një komunikatë shabllon që e përdorin kur ka tubime. Tubimi është paqësor, publik. Do të ketë protesta, kjo është e pashmangshme, por të premten e 12 qershorit nuk do të jetë e tillë”, ka thënë Kurti.

Nga VV-ja kanë thënë se në tubimin e thirrur presin të marrin pjesë mbi 10 mijë persona.

“Përgatitjet për tubimin e nesërm po shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pjesëmarrja dhe menaxhimi i njerëzve ashtu siç kemi deklaruar do të shkojë sipas rekomandimeve dhe duke ruajtur distancën e nevojshme. Nga prova e kaluar pamë se kjo gjë është e mundur dhe shkoi me shumë sukses. Nesër, në 21- vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje presim të vijnë mbi 10 mijë persona”, ka thënë Arlind Manxhuka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, një organizim i tillë është duke u konsideruar i rrezikshëm për qytetarët nga shoqëria civile. Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, nuk e përjashton mundësinë që aktiviteti i thirrur në 21-Vjetorin e Çlirimit të Kosovës të shfrytëzohet për të kundërshtuar zhvillimet politike në vend.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbarëvajtjen e tubimit, duke ruajtur rendin, qetësinë e shëndetin publik.

Në njoftimin për media të këtij institucioni është bërë e ditur se Vetëvendosje e ka lajmëruar Policinë për mbajtjen e tij.

“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit. Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetin publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Një tubim të tillë kjo parti e ka mbajtur rreth dy javë më parë, duke e cilësuar si provë për protestë. Por, me gjithë thirrjet, nuk ishte respektuar distanca mes pjesëmarrësve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close