VV nuk jep mbështetje për Haskukën, Bulliqin e Bahtirin: Hap garën për kryetarë komunash për të gjithë aktivistët e saj
Pas kokëçarjeve të mëdha që i janë shkaktuar në shumë degë, Vetëvendosje ka marrë vendim që të shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash.
Koha kur aktivistët e Vetëvendosjes mund të shpallin kandidaturat është prej datës 1 deri më 3 korrik.
“Ky proces zgjedhor i brendshëm do t’i paraprijë mobilizimit e përgatitjeve për të mundësuar që ndryshimi i madh i 14 shkurtit të shtrihet edhe nëpër komuna. Referendumi i 14 shkurtit do të kompletohet më 17 tetor, kurse ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë edhe më i thellë pas 17 tetorit.” – shkruan Vetëvendosje, përcjell Periskopi.
Ka pasur shumë pakënaqësi në degët e Vetëvendosjes në komunat e fituara nga kjo parti: Prizren, Mitrovicë dhe Podujevë.
Vendimi i tillë nga Vetëvendosje nënkupton se nuk do të ketë rikandidim nga partia të kandidatëve aktualë: Agim Bahtiri, Shpejtim Bulliqi dhe Mytaher Haskuka.
Statusi i plotë:
Shpallen zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021
Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash.
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionin e kandidatit për Kryetar të Komunës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 1 korrik deri më 3 korrik 2021, ora 17:00.
Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm, Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës (KZAQ) dhe KZP do të bëjnë verifikimin e tyre dhe do ta pajisë kandidatin/en me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës, ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik e më transparent sa i përket vendimmarrjes, veprimtarisë e organizimit. Në frymën e demokracisë së brendshme ne urojmë për një proces zgjedhor sa më të mirë dhe ftojmë për përfshirje sa më të madhe rreth këtij procesi.
Ky proces zgjedhor i brendshëm do t’i paraprijë mobilizimit e përgatitjeve për të mundësuar që ndryshimi i madh i 14 shkurtit të shtrihet edhe nëpër komuna. Referendumi i 14 shkurtit do të kompletohet më 17 tetor, kurse ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë edhe më i thellë pas 17 tetorit./periskopi/