Shukri Aliu, shqiptari që dëshmoi kundër Millosheviqit në Hagë e ka përmendur vrasjen e profesorit njëherit nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Agani.
Aliu ekskluzivisht për InDoks përmend se një shqiptar dhe një serb qëndrojnë prapa vdekjes së tij. I përmend me emër e mbiemër.
Ai madje rrëfen se si dorasit e Aganit tentuan t’i ofronin ndihmë gruas së tij, Sadijes e se si ajo i refuzoi.
“Velko Adalloviq, ky është përgjegjës për një vrasje që na ka ndodhë jashtëzakonisht e rëndë profesor, Fehmi Aganin, ky së bashku me një shqiptar Selim Gurgjufi me 6 maj 1999 kanë shku në shtëpinë e Fehmi Aganit, i janë drejtu gruas së tij të ndjerës Sadije Agani i kanë ofru ndihmë për varrimin kinse e ka vra ushtria e UÇK-së, Fehmi Aganin. Ajo i ka përzënë prej shtëpisë dhe ju ka thënë kurrfarë ndihme prej juve sdua se ju e keni kry atë vepër”, ka thënë Aliu për InDoks të Gazetës Insajderi.
Aliu thekson se është personi i parë që po zbulon detaje për vdekjen e profesor Aganit.
“Veprën e ka kry Njësiti për operacione speciale të Kosovës serbe. Është baba e bir, Obrat Vjeshtica me gjithë djalin, këta janë kryesorët. Ai njëri nga ata që ka marrë pjesë në vrasje, unë jam i pari që po i zbulojë. E për krejt këto më i informuari është Velko Adalloviq. Fehmi Agani është vra në fshatin Suhodoll të Lipjanit. Mirë u bë që kjo ditë erdh me zbulu edhe këtë”, ka thënë Aliu.
“Përndryshe Vellko Adalloviq është kriminel i luftës edhe sa ka qenë në komunën Kaçanikut si kryetar i Kaçanikut”, deklaroi ai.
Shukri Aliu përmend se si një kriminel si Adalloviq qëndron në krye të komisionit për të zhdukur.
“Vellko Adalloviq në Beograd edhe udhëheq Komisionin serb për të zhdukurit në Kosovë. Qe çka kemi përfituar, një kriminel i luftës siç është Adalloviq dhe siç është Vuçiqi kryetar i shtetit edhe ky është kryetari i komisionit”, potencoi Aliu.
Tashmë kanë kaluar 22 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani. Agani u vra nga forcat serbe.
Agani së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Treni u kthye mbrapsht, në kufirin me Maqedoninë, diku afër Fushë- Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë.
Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Siç raportohet, kufoma e tij u gjet nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.
Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.
VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=ITCaGWOrJmg&feature=emb_title