Epilogu

Zbulohen shkelje financiare në Vetëvendosje: Bëhet fjalë për 312 mijë euro

Raporti i auditimit të Lëvizjes Vetëvendosje për vitet 2016 dhe 2017 ka gjetur disa shkelje sa i përket pasqyrave financiare, transmeton Gazeta Metro.

Në një raport të publikuar nga Preportr – Organizata Çohu, është gjetur shkelje në pasqyrat financiare në vlerë prej 312 mijë e 412 euro.

Ky projekti me emrin “Financimi i Partive Politike” realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Raporti e gjeni të plotë më poshtë dhe pa ndërhyrje nga Preportr – Organizata ÇOHU:

Auditmi ka konstatuar se për pasqyrat financiare, detyrimet tjera që janë të prezantuara në vlerë 312 mijë e 412 euro me 31 dhjetor 2017, konstatohet se në mungesë të dëshmive mbështetëse dhe konfirmimeve nga palët e treta, auditi duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit, nuk ishte në gjendje të përfitojë një siguri te arsyeshme ne lidhje me tërësinë, ekzistencën dhe saktësinë e vlerës 312 mijë e 412 euro.

Bekim Gashi, Drejtues i Sekretariatit për Financa në Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me këtë gjetje ka thënë për Preportr se e kanë prezantuar listën me obligimet që kanë pasur ndaj palëve të treta në fund të periudhës financiare, bashkë me faturat e papaguara. Ai thotë se për shkak se auditimi është bërë me vonesë, i kanë paraqitur edhe fletëpagesat bankare që janë bërë gjatë vitit pasardhës për këto obligime të deklaruara.

“Këto informata nuk janë vlerësuar të mjaftueshme nga auditori, edhe pse kanë pasur mundësi që t’i marrin konfirmimet nga palët e treta, ose të kërkojnë nga ne që t’i marrim, por nuk e kanë kërkuar këtë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa për gjetjen se LVV i ka bërë pagesa në vlerë mbi 5 mijë euro një marrësi të vetëm brenda

ditës në kundërshtim me ligjin, Gashi thotë se kjo gjetje e deklaruar nuk është në kundërshtim me asnjë dispozitë të asnjë ligji.

Ai thotë se është evidentuar gabimisht nga auditori, pasi ka qenë e paraparë në ligjin nr. 04/l-178 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 03/l-196 për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit. Por ky ligj është shfuqizuar në qershor të vitit 2016, “ndërsa ligji i ri nuk parasheh një kufizim të tillë, si rrjedhojë nuk është dashur të figurojë fare si shkelje”.

Ndërkaq, në raportin e vitit 2016, auditimi ka konstatuar se në bazë të pasqyrave financiare, toka, objektet dhe pajisjet janë në vlerë 12 mijë e 331 euro me 31 dhjetor 2016, është vërejtur që subjekti politik nuk ka aplikuar një metodë konsistente në zhvlerësimin e pasurisë afatgjate.

Te kjo gjetje thuhet se ky subjekt politik, nuk ka mirëmbajtur një regjistër të saktë të aseteve fikse dhe ka mospërputhje në mes të bilancit nga viti i kaluar dhe bilancit aktual kur është bërë auditimi.

“Duke pasur parasysh natyrën e shënimeve që ka mbajtur subjekti politik dhe mungesën e librave të kontabilitetit, ne nuk ishim në gjendje duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit të përcaktojmë me saktësi të plotë vlerën e korrigjimeve të nevojshme për sa i përket vlerës së aseteve dhe të hyrave të shtyra nga asetet fikse”, thuhet në raportin e auditimit.

Për këtë gjetje, Bekim Gashi thotë se është një gjetje që ka qëndruar pjesërisht, pasi blerjet kanë qenë të evidentuara, mirëpo nuk janë prezantuar në pasqyrën e zhvlerësimit të pasurisë.

“Ne kemi ndërmarrë masa për ta përmirësuar këtë kualifikim. Në fund të vitit 2017 kemi bërë evidentimin dhe regjistrimin e të gjitha aseteve që kemi në zyrat tona”, thotë Gashi.

Ndërsa për gjetjen se LVV nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet sipas parimit akrual për t’i mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas standardeve të kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë, Gashi thotë se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së një softueri të financave, të cilin nuk kanë pasur mundësi ta sigurojnë në mungesë të fondeve.

“Ka qenë e pamundur që të bëjmë regjistrimin sipas formës së kërkuar, mirëpo janë mbajtur shënime alternative (në tabela të excel) ku janë regjistruar transaksionet financiare, ndërsa pasqyrat financiare janë deklaruar sipas formularit që na është ofruar nga KQZ-ja”, thotë Gashi.

Sipas raportit të auditimit, subjekti politik në blerjet e kryera nuk ka aplikuar të gjitha procedurat e kërkuara për blerjet dhe furnizimet si koutimet ose tenderimi e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, dhe transparente për dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik.

Bekim Gashi thotë se edhe në bazë të konstatimit të auditorit konstatohet se një pjesë e procedurave janë ndjekur nga ky subjekt politik. Ai thotë se LVV çdo herë është kujdesur të marrin shërbime me kosto ekonomike, dhe kanë negociuar kushtet për pranim të shërbimeve, gjë për të cilën kanë pasur edhe marrëveshje me shkrim për ofrim të shërbimeve sipas kushteve të paracaktuara.

“Por jo në të gjitha rastet ka qenë e mundur të ndiqen të gjitha procedurat siç kërkohen, për shkak të specifikave dhe llojeve të shërbimeve që na duhen si organizatë politike. Po ashtu çdo herë janë bërë transparentë furnitorët e mëdhenjtë të cilët na kanë ofruar shërbime ose shitje në shuma më të mëdha se 5000 euro brenda vitit”, ka thënë Gashi.

Gjetja e fundit e auditimit thotë se te shpenzimet e reprezentacionit dhe karburantit, në disa raste subjekti politik nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, përveç faturave dhe pagesave dhe urdhër blerjeve, që do të mund t’i arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e bëra.

Për këtë gjetje, Gashi thotë se LVV ka mbajtur dhe mban libra me shënime për shpenzimet e karburanteve dhe regjistrimin e kilometrave, ku përfshihet edhe destinacioni dhe qëllimi i udhëtimit për veturat që i kanë pasur në shfrytëzim në selinë qendrore të partisë.

Ai thotë se një gjë e tillë ka qenë e pamundur të bëhet tek qendrat (degët) e LVV-së, pasi tek ato shfrytëzohen veturat personale të aktivistëve, dhe në raste të caktuara ka qenë e mundur të bëhet vetëm arsyetimi i shpenzimit përmes urdhër blerjeve të nënshkruara nga personat përgjegjës, por jo edhe regjistrimi i kilometrave, pasi kanë qenë vetura që janë shfrytëzuar brenda një ore ose dite.

Ndërsa sa i përket reprezentacionit, ai thotë se janë mbajtur dokumentacioni siç është urdhër blerja e cila përmban: emrin e kërkuesit, pozicionin, qëllimin e aktivitetit, përshkrimin e produktit dhe nënshkrimet e personave përgjegjës si dhe janë prezantuar faturat dhe fletëpagesat bankare.

“Mirëpo, për auditorin kjo nuk ka qenë shumë relevante, pasi që është kërkuar të prezantohen lista me personat që janë shërbyer, për shembull me kafe ose hamburger gjatë ndonjë aktiviteti të LVV-së, gjë e cila është e pamundur teknikisht”, ka thënë Gashi.

VV dhe PDK me financues të përbashkët

Edhe pse e regjistruar shumë vonë si subjekt politik (më 2010), Lëvizja Vetëvendosje!, ndryshe prej LDK-së dhe AAK-së, deklaron shumë financues, tre prej të cilëve prej disa vitesh janë financues të PDK-së.

Hulumtimi i Preportr tregon se financuesit e Vetëvendosjes! janë shpërblyer shumë më shumë se sa financuesit e tri partive tjera që kanë qenë në pushtet në nivelin qendror dhe lokal si LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja. Por duhet theksuar se këta tenderë janë dhënë nga institucionet ku nuk ka qeverisur VV-ja dhe shumica e donatorëve që kanë përfituar këta tenderë, kanë qenë njëkohësisht edhe financues të PDK-së.
Financuesit e LVV-së kanë marrë 42 tenderë nga MASHT-i, MTPT-ja dhe MI-ja në vlerë 58,493,257 euro. Ndërsa bizneset që kanë financuar LVV-në, kanë marrë 17 tenderë tjerë nga institucionet tjera në vlerë 1,208,302 euro.

Gjatë tri viteve (2010-2012), LVV-ja ka marrë nga bizneset ose pronarë biznesesh 161,618 euro në formë donacioni.Për dallim nga të gjitha partitë që janë pjesë e këtij hulumtimi, LVV-ja është e vetmja e cila ka bërë publike raportet financiare vjetore dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve që nga koha kur ajo është pjesë e institucioneve. Këtu hyjnë edhe raportet vjetore financiare dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve për vitet 2013-2014.

Artikullin e plotë mund ta gjeni të plotë KËTU.

Exit mobile version