Milaim Zeka 2015:
Shenasi Mehmeti, zyrtari i lartë i Sherbimit Maqedon, ka qenë njeriu kryesor i grupit të Kumanovës i mbështetur nga Sasha Mihallkovi dhe Rafiz Haliti, ish deputet i BDI-së, dhe aktualisht një nga shefat e Shërbimit Sekret Maqedon.
Në vitin 2013, Mirsad Ndrecaj, tashmë i vrarë në grupin e Kumanovës, është njeriu i parë i cili kishte rënë viktimë e përgjimeve telefonike, të bëra nga AKI, Policia e Kosovës dhe Shërbimi sekret maqedon, ose siç njihet gjerësisht: DBK.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës, gjithë këtë punë e kishte nisur, pasi që kishte marrë informacione se disa agjentë të kundërspiunazhit maqedon, po zhvillonin aktivitete intensive në territorin e Kosovës.
Meqenëse grupi në fjalë dyshohej edhe për disa aktivitete të tjera, policia e Kosovës, me urdhrin e Gjykatës, kishte filluar përgjimet e çdo lloj komunikimi mes tyre.
Planet e Shërbimit Maqedon ishin që këtë grup ta mbanin nën kontroll dhe ta përdornin për të shkaktuar incidente në Maqedoni, por pa viktima, në mënyrë që me çdo kusht të shpëtohej rënia e Qeverisë së Gruevskit e vënë në rrezik serioz pas përgjimeve telefonike të rëna në dorën e opozitarit Zaev. Sigurisht që e gjitha kjo do të kryhej duke u thirrur në emrin e të drejtave të shqiptarëve atje. Nga ana tjetër mbajtja e kësaj Qeverie në këmbë, u shkonte për shtat edhe pjesës dërrmuese të klasës politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Që të gjithë këta, ishin dhe janë të përzier në afera të rënda korruptive dhe mafioze jo vetëm në hapësirën ballkanike por edhe më gjerë.
Shefi i Sherbimit sekret të Maqedonisë, Sasha Mihallkov, i cili është djalë tezeje me kryeministrin Gruevski, jo vetëm që ishte lidhur në biznese të forta me pjesën e shqiptarëve, por ai kishte arritur deri atje sa të siguronte edhe diploma fallco deri të doktoraturës për emra të njohur të Kosovës dhe Maqedonisë, pra për shqiptarë, të cilët më pas i shantazhonte dhe i shfrytëzonte sipas nevojave të tija.
Luftëtarët e vitit 2001, shumica prej të cilëve kishin mbetur të paintegruar dhe të papunësuar, menjëherë filluan të manipulohen duke u thirrur gjithmonë në patriotizëm, në stilin që: Ja, marreveshja e Ohrit është shkelur me të dyja këmbët etj etj, gjë që në realitet ishte mëse e vertetë.
Në gjithë këtë rrëmujë interesash, zyrtari i lartë i Kundërintelegjencës Maqedone, Shenasi Mehmeti, i shpeshton takimet me grupin. Ai bënë vizita të shpeshta në Pejë, Prishtinë dhe Ferizaj”.
Në përgjimet telefonike dëgjohet Mirsad Ndrecaj, duke biseduar me Shenasi Mehmetin, ku afër Mirsadit është edhe Begë Rizaj. Si duket grupi ka filluar të dyshoj në Shenasinë. Caktohet një takim në Ferizaj.