“Kulimllëku vagabond-modern (shqiptar) kërversh buzët mbi thjeshtësinë e artë të mitologjisë sonë kombëtare” – do të shkruante i madhi Gjergj Fishta, për mitologjinë dhe hyjnitë.
Përpos modernitetit, çdo komb ka historinë e vet. Edhe kulturën, edhe mitet, edhe hyjnitë
Por sa i njohin shqiptarët Zotat, emrat e hyjnive që në thelb janë pellazgo-ilire, e që në rrjedhën e historisë janë të veshur me dhunë me “petkat” greke dhe romake? A kemi ne perëndi dhe a dyshojmë te miti jonë, i themelimit të iliro-shqiptarëve?
Edhe vetë studiuesi Tonin Çobani, që është marrë me mitologjinë shqiptare ndër vite, e ka të vështirë të t’i përgjigjet prerë pyetjes “a kemi Zota ne shqiptarët”?
Por, ka! Ai shprehet, se ekziston një mit që lidhet vetëm me iliro-shqiptarët dhe është miti i Kadmit.
“Më parë se të flitet për ilirë a fise ilire, më parë se në harta të shënohej Iliria a viset e ilirëve, në Mesdhe qarkullonte miti i Ilirit. Iliri është biri i Kadmit. Kadmi vetë është biri i mbretit Agenor (me nënë Telfasën). Dhe Agenori stërnip i Zeusit dodonas. Miti i iliro-shqiptarëve zuri fill, kur Zeusi grabiti motrën e Kadmit, Europën. Kadmi dhe Harmonia, lindën një fëmijë dhe e quajtën Ilir”, thotë Çobani.
Duke u nisur nga ky mit, sipas gojëdhënës është krijuar dhe Mbretëria Ilire.
“Gojëdhëna thotë, se Kadmi dhe Harmonia u shndërruan në dy gjarpërinj/dragonj dhe u vendosën përjetësisht në Fushat e Elizeut. Iliri trashëgoi mbretërinë e të atit, që i dha emrin e vet: Iliri. Ai u gëzua me shumë fëmijë (djem e vajza), emrat e të cilëve u mbetën fiseve ilire të hershme. Në këtë mit përmendet edhe fisi ilir i Enkelejve. Disa mendojnë, se edhe fisi i Dardanëve ka marrë emrin e njërit prej djemve (apo vajzave) të Ilirit. Gjithsesi, edhe miti i Dardanit, i njohur para dhe pas Luftës së Trojës, është i të njëjtës kohë.
Dardani është themeluesi i Dardanisë ilire.
Por, një Dardan është edhe themelues i Trojës. Mendohet të jetë i njëjti”, – ka shpjeguar Çobani, për gazetën “Si”.
Sipas studiuesit Çobani, edhe Zeusi, që historikisht njihet si i grekëve, është pellazgo-iliro-shqiptar.
“Edhe Zeusi, nuk është Zeusi i grekëve. Zeusi është kryeperëndia e Olimpit, por më përpara ai ka qenë kryeperëndi e Dodonës dhe kultura dodone nuk është helene, as greke, kultura e Dodonës është pellazgo-ilire dhe Zeusi që është gjetur në ato rrënoja, është pellazgo-iliro-shqiptar”, – thekson ai.
Por, siç duket, ndër shqiptarë ka pasur dyshime për ekzistencën e miteve.
“Asnjë nuk dyshon, se Romuli dhe Romi u ushqyen me qumështin e një ujkonje dhe ata, themeluan Romën. Pse dyshojmë ne në mitin tonë, ai i themelimit të iliro-shqiptarëve, pse dyshojmë?”, – shprehet Çobani.
Ndërkohë që shtron pyetjen, se, “pse nuk ua mësojmë fëmijëve në shkollë, siç ua mësojnë romakët fëmijëve të tyre, sot e kësaj dite, apo kemi frikë se mos u hyjmë në hise grekëve?”
Në një kohë që kjo pjesë e mitologjisë nuk ekziston në asnjë tekst shkollor e universitar, ai thotë se ndoshta “’kulimat’ e Fishtës (vagabondat modernë) janë edhe në Ministri, edhe në Akademi, edhe në institucione të tjera”.
Duke u kthyer pas në kohë, për historinë sesi janë trajtuar ndër vite zotat në vendin tonë dhe në marrëdhënien greko-romako-ilire, ai veçon dhe probleme.
“Në kohën e monizmit ka dy probleme: problemi i parë është se, nuk ka Zota hiç. E dyta është se, këtu ka problem ekspansioni, shtetet e fuqishme, perandoritë kanë kërkuar të jenë gjithmonë dominuese, kanë dominuar në shkrim, në kulturë, me armë, me pasuri dhe romakët kanë pranuar që kanë marrë kulturën greke, grekët nuk pranojnë që kanë marrë kulturën pellazgo-iliro-shqiptare”, vijon më tej, ai.
Sipas Çobanit, “mitologjia nuk mund të zgjidhë problemet që historia nga ana e saj, ende nuk i ka mbyllur kënaqshëm. Mitologjia veçse provokon zgjidhje të mundshme, ndaj dhe historia e hyjnive, nuk merr një përgjigje të prerë dhe të drejtpërdrejtë”.
Lidhur me rëndësinë e njohjes së mitologjisë për shqiptarët e sotëm, ai përfundon se këto janë të rëndësishme, aq sa është e rëndësishme kultura për njeriun.