Bislim Zogaj, ish anëtari i Shtabit Operativ të UÇK-së dhe ish i burgosur politik kishte treguar detaje interesante për arrestimin e tij, miqësinë dhe sfidat me të cilat u ballafaquan ai, Heroi Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Xheladin Gashi – Plaku e Nait Hasani.
Ai tregoi për torturat e jashtëzakonshme gjatë arrestimi të tij. Në fotografitë e publikuara nga ai, shihet krejtësisht i mavijosur nga torturat e mëdha të cilat i ushtronin forcat serbe.
“… fati më ka njohur që përmes babit tim të njihem me Azem Sylën i cili kishte kontakte me babain tim, dhe mbi të gjitha me mësuesin tim shumë të respektuar Xheladin Gashin – Plakun. Dhe pas shumë kohërave që kisha vepruar me këta dy, në vitin 1994 fillova të merrem me aktivitet dhe sigurisht kisha filluar me të biej në syrin e serbëve, me 2 korrik dhe 4 korrik 1994 jam torturuar mizorisht dhe janë munduar të nxjerrin diçka rreth Azemit dhe rreth ilegales. Dhe përkundër gjithë asaj torture (i tregon fotot nga torturat) që mund t’ua argumentoj edhe me faktet e asaj kohe, çfarë torturash janë ba ndaj meje, dhe as edhe një fjalë nuk është nxjerrë nga ana ime. Flas për vitin 1994. Azem Syla në atë kohë kishte dalë në ilegalitet, kohë pas kohe vinte në Kosovë, dhe e mbaja unë ilegal në familjen time. Pastaj ka fundi i vitit 1995 pas disa punëve që i kisha bërë me Nait Hasanin dhe Xheladin Gashin, Xheladin Gashi më thotë se nesër duhet të shkosh në një takim në Prishtinë, ku aty do të jetë… Nait Hasani i ka pasë disa pseudonime e më ka thanë do të jetë xhyzllyku sepse mbante syza, e më pastaj me pseudonimin Abazi etj, e kemi pasur takimin në 18:00 dhe brenda dy minutave jemi mbledhur të gjithë, ku ishte prezent; Nait Hasani, Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Lahi Brahimaj, këta gjashtë kemi qenë më duket, dhe Nait Hasani ka thënë se ne jemi Shtabi i parë Operativ i UÇK-së“.
Bislim Zogaj më herët kishte treguar se ishte torturuar 4-5 orë nga sigurimi shtetëror serb dhe ishte pyetur “A e njeh Kadri Veselin”?, ai iu kishte përgjegjir se as idenë nuk e kam për kënd e keni fjalën. Ai shprehet se aq shumë e kanë torturuar sa që shokët e burgut nuk e kishin njohur aq shumë ishte i malltretuar dhe shokët e burgut filluan të qajnë nga malltretimet ndaj tij“.