Epilogu

Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ishte hapur më 2019 nga pushtetarët e kaluar

Lëvizja Vetëvendosje, pas videos së publikuar ditë më parë ku akuzonte të gjitha qeveritë e deritashme për gjendjen në të cilën gjendet Kosova aktualisht, ka publikuar një tjetër video përmes së cilës inkriminon partitë opozitare.

Kësaj radhe, partia e cila udhëheq qeverinë, merret me terminalet e privatizuara në Kosovë.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, terminalet e privatizuara janë të lidhura ngushtë me politikën.

Në videon e LVV-së, ku flitet për Terminalin e Kosovës në Portin e Durrësit, i cili ditë më parë filloi punën me kapacitete të plota, thuhet se terminalet i kanë përvetësuar 37 milionë euro për një vit.Derisa Lëvizja Vetëvendosje e ka vazhduar propagandën, ka harruar një fakt të rëndësishëm.

Terminali në Durrës për të cilin lavdërohet se e ka vendosur në funksionalitet me kapacitet të plotë qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ishte hapur rreth tre vjet më parë. Më 15 janar të vitit 2019 ishte inauguruar Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit.

“Urime të gjithëve”, thuhet në videon e Vetëvendosjes derisa komentohet funksionalizimi i plotë i Terminalit në Durrës.

Megjithatë, aty nuk përmendet askund fakti se Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit ishte hapur më 2019 nga pushtetarët e kaluar.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre kishin marrë pjesë Kryeministri Edi Rama, ish-zëvëndëskryeministëri i Kosovës, Fatmir Limaj, ish-Ministrat e Financave të dy vendeve, Arben Ahmetaj dhe Bedri Hamza.

Por sot Lëvizja Vetëvendosje – e cila akuzoi partitë opozitare dhe njerëzit e lidhur me ta për përvetësimin e milionave – i ka përvetësuar meritat për hapjen e terminalit doganor në Durrës.Ditë më parë partia e kryeministrit Albin Kurti ka publikuar një video tjetër, ku disa prej ish-liderëve të shtetit të Kosovës i ka cilësuar si “shkatërrues të shtetit”, për çka ka pasur reagime të shumta në opinion publik.

VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=GxpOkZONntA&feature=emb_title

Exit mobile version