Epilogu

Zyrtari i PDK’së: Paralajmërim i frikshëm i Veselit, s’lejon kandidatura që kanë probleme me ligjin

Zyrtari i PDK’së, Ilir Gashi, që ka qenë pjesë e KQZ e ka quajtur të frikshëm vendimin e Kadri Veselit për të mos lejuar asnjë kandidat për të garuar për deputet nëse ka probleme me drejtësinë. 

Adem Grabovci, Agim Çeku, Sokol Bashota, Qemajl Mustafa, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Xhavit Haliti do ta shohin vetëm në televizor Parlamentin e Kosovës nëse vendimi i Kadri Veselit zbatohet për të mos lejuar të kandidojnë për deputet njerëzit që kanë aktakuza, shkruan Gazeta Express.

Një zyrtar i PDK’së e ka quajtur të frikshëm këtë vendim të Veselit. Ka thënë se është vendim edhe parimor për të mos lejuar ata që kanë aktakuza të kenë pozita shtetërore.

“Paralajmrimi i frikshëm, por parimor i Kryetarit Kadri Veseli, rreth pa mundësive për kandidim të atyre qe jan ndesh me drejtêsin, natyrshem se këtë kategori e bênë të gjejnê streh në subjektet ku ligji êshtê vetëm një akt i shkruar, por që nuk gjënë zbatim”, ka shkruar Gashi, në një reagim në FB. 

Kadri Veseli ende s’ka folur nëse do ta çojë përpara vendimin për dekriminalizimin e PDK’së nga njerëzit që kanë probleme me Ligjin.

Express kishte shkruar se Adem Grabovci s’e ka më mendimin e njëjtë sikur dikur – në përgjimet e PRONTO’s – kur zotohej se do të respektonte secilin vendim të Kadri Veselit, i cili ishte vetëm anëtar i PDK’së.

Në përgjime teksa merrte urdhra nga Veseli, Adem Grabovci thoshte se “ti merr vendime, unë i zbatoj”.

Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar krejtësisht prej se Kryetari i PDK’së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata që kanë aktakuza. E t’i shkarkojë nga Qeveria gjithë ata që përballen me drejtësinë.

Me 30 qershor, Adem Grabovci kishte folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.

“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, ka thënë Grabovci për Express.

Adem Grabovci nuk ishte lejuar të kandidonte për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Edhe i propozuari i tij për Ministër, Besim Beqaj, është shkarkuar nga Veseli.

Ish-Nënkryetari i PDK’së fillimisht kishte humbur pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së kur shpërtheu afera e quajtur “Pronto”, e cila ende nuk është mbyllur, e ku dëgjohen zyrtarët e PDK’së teksa flasin për punësimet e anëtarëve të partisë nëpër institucione të shtetit. Në mesin e bisedave janë edhe ato të Grabovcit me Kadri Veselin, i cili i tregon se cilin person duhet ta shtyjë përpara për pozitat publike.

Së fundmi, Kadri Veseli, në një paraqitje publike, dha lajmin se po i largon njerëzit me aktakuza nga Partia e Qeveria. Deri më tash kanë pësuar tre persona: Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu dhe Agim Çeku.

Por, në Parti s’po ia pranojnë vendimin. Vendim ky që nuk është marrë as në Kryesi dhe as në Këshillin Drejtues.

Pikërisht këtu ndalet Adem Grabovci. Thotë se nga Partia të largojnë vetëm ata që të sjellin aty – anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Vetëm vota mund të më largojë prej partie Unë i falënderoj të gjithë votuesit gjegjësisht anëtarësinë e PDK’së që më kanë votuar fuqishëm dhe jam njëri ndër më të votuarit në këshillin drejtues të PDK’së, vetëm ata që ma kanë dhënë votën mund të më largojnë”, ka thënë Grabovci.

Ish-deputeti i PDK’së ka thënë se respekton çfarëdo vendimi që bazohet në Statutin e Partisë. Ky dokument s’përcakton askund të drejtën e Kryetarit t’i përjashtojë njerëzit nga Partia.

“Unë jam institucionalist, i respektoj institucionet, i respektoj rregullat që i nxjerri vet, statutin e partisë ai për mua është kushtetuta e partisë, siç është kushtetuta e shtetit edhe kushtetuta dhe programi janë për partinë”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli ende s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’e ka marrë asnjë veprim për largimin e atyre me aktakuza. Madje, disave ju ka premtuar se vendimi nuk i prek, duke bërë seleksionime.

Megjithëkëtë, Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, po ashtu, kanë refuzuar të pranojnë vendimin e Kryetarit të PDK’së. 

Exit mobile version