Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përpiqet ta mashtrojë Gjykatën Kushtetuese.
“Në komentet që ka dërguar Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, i vetëdijshëm për shkeljen e rëndë të Kushtetutës, përpiqet ta mashtrojë Gjykatën me të pavërteta”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.
Sipas tij, “në faqen 28 të komenteve, Presidenti ka thënë të pavërteta për mocionin e vitit 2017, kur shkruan se “në rrjedhë të mocionit të mosbesimit, Kuvendi mori vendim për shpërndarjen e tij”. Vazhdon mashtrimin, duke thënë se gjeni të bashkëngjitur vendimin e Kuvendit për shpërndarjen e legjislaturës dhe njoftimin e Kryetarit të Kuvendit për shpërndarjen e Kuvendit”.
“Ndërsa, kur shikon dokumentet, është e qartë se as situata dhe as dokumentet nuk dallojnë nga mocioni i këtij viti. Krejt çka i ishte ofuar më 2017, është ofruar edhe tash. Vendimi dhe njoftimi për votimin e mocionit, në bazë të të cilave Presidenti kishte shpërndarë Kuvendin dhe kishte caktuar datën e zgjedhjeve”, ka shtuar Rrustemi.
Ai ka bashkëngjitur edhe disa dokumente.