Lutfi Haziri flet për takimin e “fshehtë” me Dardan Molliqajn
Pas paralajmërimit për zgjedhje të jashtëzakonshme, kanë nisur edhe bisedimet mes partive politike për bashkëpunime të mundshme.
Partitë opozitare, LDK dhe VV kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm parazgjedhor, por nuk ka pasur asgjë zyrtare.
I vetmi mospajtim mes dy partive më të mëdhaja opozitare është kandidati për kryeministër.
Mbrëmë, deputeti nga radhët e VV-së, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se VV-ja është e gatshme për koalicion me LDK-në me kusht që kandidat për kryeministër të jetë Albin Kurti.
Në lidhje me këto deklarata, Ballkani.info ka kontaktuar me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin, i cili nuk ka dashur të përgjigjet nëse LDK-ja do të pranonte një ofertë të tillë, por nuk ka mohuar takimet mes dy partive.
Sot, Haziri gjithashtu është parë në një kafene me deputetin e PSD-së, Dardan Molliqajn.
I pyetur se cila ka qenë tema e takimit, Haziri ka thënë se ka qenë takim rasti.
“Takim rasti dhe nuk ka çka apo temë që duhet ta them. LDK dhe PSD kanë takime në nivel lidhjesh Mustafa-Ahmeti sikur që kemi Mustafa-Kurti me Vetëvendosjen”, ka thënë Haziri.