Deputeti i LDK-së nuk e mohon koalicionin me PDK-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i ftuar në televizionin T7, ka thënë se LDK-ja nuk do të pranonte një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por që sipas tij në politikë nuk thuhet kurrë.
“Sipas mendimit tim, LDK-ja nuk do të pranojë të jetë pjesë e një qeverie me PDK-në sepse i ka arsyet e veta, por pasi që jemi në politikë, nuk duhet të thuhet kurrë” tha Kelemendi.
E sipas tij, për një koalicion të mundshëm me PDK’në për një qeverisje teknike, “mund të ketë ndonjë presion politik” e që e gjitha kjo varet se kush do të jetë kryetar i partisë.
“Varësisht, të shohim se a do të rizgjidhet Mustafa, nëse rizgjidhet ai, bisedat ndërkombëtare do të jenë më ndryshe, por nëse zgjedhjet një i ri, mundet të bie në ndikimin e presionit ndërkombëtar” tha ai.
Por Kelmendi deklaroi se ende është herët sepse edhe presidenti Thaçi edhe ndërkombëtarët e kanë ngadalësuar procesin.
“Është pak herët, edhe heshtja e presidentit e ngadalësoi procesin edhe bashkësia ndërkombëtare është shumë e heshtur me deklarata jodinamike po tregojnë që është temë e cila nuk duhet të dinamizohet” tha ai duke shtuar se “ndoshta po presin që të ftohet situata dhe të konsolidohet LDK’ja”.
E këshilla e tij është që LDK’ja të tregohet gjakftohtë dhe shikojë fuqinë e saj e të mos ketë hidhërime të brendshme.