Në Angli vazhdon të jetë krye-temë pritja fantastike që do t’i bëhet të përzgjedhurve të Gareth Southgate në Kosovë për sfidën e fundit kualifikuese drejt EURO 2020.
Anglezët kanë “pushtuar” kafenetë në kryeqytet, përcjellë Gazeta Olle.
Atmosfera është e jashtëzakonshme, pasi që ata janë pritur për mrekulli në Kosovë.
Banerët mikpritës për futbollistët anglezë të abuzuar në mënyrë racore në Mal të Zi e Bullgari, iu kanë lënë përshtypje të jashtëzakonshme mediave britanike që po përcojnë kësisoj një imazh fantastik për Kosovën gjithandej.
Gazeta e famshme britanike, “The Sun”, ka vendosur Kosovën në ballinën e numrit të sotëm.
“Kosovo”, është titulli i temës kryesore, ku shkronja e mesme “O”, është shndërruar në zemër, duke treguar kësisoj simpatinë që e kanë fituar ata për shtetin më të ri, por me popullin më të vjetër në Ballkan.
Edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për mediat angleze.
“Ne jemi mirënjohës për gjithçka që keni bërë për vendin tonë. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për t’i thënë faleminderit Anglisë dhe Britanisë”, deklaroi Ademi.
“Sa i përket kualifikimit, kjo s’ka ndikim te ne, por ndeshja është ende një ngjarje e madhe sportive për vendin. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për shkak të lidhjes politike mes nesh dhe Britanisë, që ishte njëra ndër vendet që na ndihmoi më së shumti gjatë dhe pas luftës”.
“Ne kemi shumë njerëz që jetojnë në Angli. E kemi bërë më të mirën tonë t’ua japim disa njerëz shumë të mirë e të famshmë në botën e muzikës si Rita Ora dhe Dua Lipa – dhe ju e keni edhe Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin atje”, vazhdoi ai.
Lojtarët e Kosovës ishin cak i thirrjeve raciste në humbjen 2:1 kundër Çekisë të enjten, një disfatë kjo që do të thotë se Kosova mund ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian vetëm përmes play-offs.
“Ne jemi gjithmonë kundër racizmit dhe duam t’ia dëshmojnë botës të dielën se nuk ka vend për urrejtje”.
“Ne e kemi ndierë luftën dhe racizmin. Nuk duam që askush tjetër të kalojë nëpër diçka të atillë”.
“Unë dua t’u them anglezëve se ky vend është si shtëpia juaj. Do të ndiheni të sigurt. Unë gjithashtu dua ta uroj Anglinë për kualifikimin në Evropian”, shtoi ai. /Gazeta Olle/