fbpx
Opinione

Shteti në gojën e disa politikanëve, është vetpasqyrim i tyre!

Skënder Berisha

Kompleksi me predispozitat për të sharë e njollosur vendin e vet, për intelektualin, ka burime tjera nga ato që mund t’i ketë një qytetar i rëndomtë. Komplekset e intelektualit janë të lidhura me mjedisin, origjinën, burimet e formimit, caqet e synuara, inferioriteti dhe deficitet e pakompensuara të ashtuquajtura intelektuale.

Qytetari i rëndomtë, zakonisht por jo çdo herë e identifikon problematikën individuale apo kapacitetin e munguar personal, me pamundësinë e shtetit. Gjithsesi, ai bën njëjtësimin e shtetit me çështjet jetike të tij si mungesën e ujit, mungesën e rrymës, lidhjen e papunësisë me gjendjen e tij, me konceptin e shtetit. Nuanca e dallimit në mes të një shpërndarësi të faturave dhe shtetit, për të- nuk është shumë e madhe.

Edhe kur nuk bie borë, i lihet faji shtetit se ka ardhur “kohë e pistë sa as borë nuk bie”. Faji bëhet krejt i afërt, edhe më i lehtë për ta bartur e transferuar atë, faji i shtetit. Edhe hedhja e bërllokut vend e pa vend, edhe kur blihen prodhimet serbe, fajtor është shteti.

Shteti është fajtor për çdo ngecje të interesit të atij që shanë shtetin, madje edhe egos së tij të pa përmbushur. Madje, shkeljet ligjore të cilat i ka në dorë individi, ia len fajin shtetit, pse shteti nuk po dënon fort sa “mos me gabue”. Por, nëse shteti dënon fort, ai sërish ia lë fajin shtetit, pse dënon “pa faj”, “po dënon fukaranë, ndërsa peshqit e mëdhenj, nuk guxon t’i prek”.

Mbase, ka edhe trashëgimi kjo qasje në mbamendjen e qytetarëve, nga ish sistemi jugosllav, i cili, kujdesej për gjithçka dhe gjithë secilin, në çdo rrethanë. Edhe për shkollim, edhe punësim, edhe ujë, edhe barna edhe ”krejt i ke pasë”. Paturpësisht, kjo dorë e njerëzve e harron se mungonte esencialja, liria. Ajo liri që ta shash shtetin, të cilën e ka tashmë, madje duke sharë vend e pa vend.

Por, si duket, kjo qasje që në Kosovën e çliruar, nuk po gjen vazhdimësi të “krejt i ke pasë” dhe vijim i rehatisë. Bile, formula titiste “merr pasoshin dhe shkelja”, nuk funksionon më. Nuk është e mundur, sepse shteti ka faj. Po, faji i shtetit sepse: “nuk kemi punuar, nuk kemi bërë, nuk jemi gjetur si duhet, nuk mundëm, jemi të poshtër, jemi hajna, jemi kriminelë…”, e qindra të shara ndaj vetvetes, sa përafrohet me idiotizmin.

Kjo qytetarit edhe i falet, sepse, ka shtrëngesa dhe mosrealizim të dëshirave dhe kapaciteteve sipas modelit të sajuar në robëri e të pamundur për realizim në liri.

Partitë politike të cilat synojnë ta marrin pushtetin, manipulojnë më këto kufizime të qytetarit. Zmadhojnë defektet, duke ofruar zgjidhje të shpejta sa të pamundura, aq të pabesueshme, por të lehta për këtë qytetar “të thjeshtë” dhe të kuptueshme për të.

Qytetarit me këto kauza të jetës së tij të rëndomtë, të ndërtuara me faj e pa faj, partitë ia bëjnë kopsht me lule nëse “ata” vijnë në pushtet. Do të kenë punësim, do ta zhdukin korrupsionin, do ta kthejnë dinjitetin, do ta kthejnë shtetin, do ta kthejnë territorin, do ta kthejnë mirëqenien, do ta kthejnë besimin në shtet, do ta kthejnë ekonominë në binarë, do ta bëjnë arsimin dritë, shëndetësinë do ta bëjnë lule, etj. etj. marrëzira të ngjashme elektorale.

Shumica e premtimeve për “rikthim”, është ndërtuar mbi vetëmashtrimin e qytetarit të thjeshtë, sikur i ka pasur ato të mira në një kohë. Dihet botërisht se shumë nga ato nuk i kanë pasur qytetarët e këtij vendi, përpos në botën e tyre ideale socialiste, sikur i kishin dhe sikur mund t’i konsumonin, hiq këtu nomenklaturën projugosllave dhe shpirtshiturit.

Është e pabesueshme që dikush të ketë sukses ta udhëheqë një shtet të cilin e ka sharë dhe shanë, e quajnë të cunguar, të mbushur me hajni, me korrupsion dhe me njëqind të zeza sa mediat në veri të shtetit tonë, nuk prodhojnë artikuj kundër vendit tonë, vetëm i citojnë “analistët” shqiptarë.

Nëse vërtetë do të ishte siç e thonë disa politikanë aktualë gjendjen në shtetin e ri të Kosovës, pse jetojnë në një shtet të tillë, madje duke u kapardisur me poza triumfaliste në shtetin që ka aq shumë të këqija.

Shteti është dhe do të jetë, kontribut i gjeneratave të tëra, mundit dhe sakrificës së shenjtë ndër breza. Është përgjegjësi e të gjithëve ta ndërtojmë dhe rritim çdo të mirë që ka dhe të rejat që duhet t’i ketë. Fundja, kushdo që ha bukën e këtij vendi, nuk pritet ta shaj shtetin, sepse ka sharë veten e vet, bile edhe për mungesë kontributi për shtet më të mirë.

Shteti në gojën e disa politikanëve, është vetpasqyrim i tyre, të cilët kurrë nuk e pyetën vetën çfarë bënë për shtetin e vet që e shajnë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close