Luhatet deputeti i LDK-së që doli në krahë të Vjosës, tregon nëse do ta votojë Qeverinë Hoti
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nesër do të zhvillojë takim me Grupin Parlamentar të partisë së tij, për t’ua paraqitur kabinetin qeverisës dhe për të marrë aprovimin e tyre.
Takimi, do të mbahet nesër në orën 11:00 në zyrat e Grupit Parlamentar.
Ajo çka dihet saktësisht është se tre deputet të LDK-së, deri tani hapur kanë deklaruar se nuk e votojnë qeverinë e re. Fjala është për kryetaren aktuale të Kuvendit, Vjosa Osmani, që është edhe nënkryetare e partisë, deputetin nga Prizreni, Haxhi Avdyli dhe deputeti nga Gjilani, Fatmir Rexhepi.
Ndërsa emri i deputetit nga Suhareka, Ardian Shala, është përmendur poashtu se nuk do ta votojë qeverinë e re.
Shala ka thënë se për momentin është i papërcaktuar dhe nuk ka marrë ende një vendim se si do të votoj.
“Unë edhe herën e parë e kam respektuar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me VV-në. Nuk jam për me blloku e me kundërshtu LDK-në, do ta shohim me kohë e do të vendos, pasi është kryeministiri i LDK-së. Është situata konfuze, nuk mundem tani me u përcaktu, do ta analizoj situatën, përbërjen e qeverisë. Jam i papërcaktuar ende”, ka thënë Shala për Reporterin.
Kurse lidhur me shkrimet se kundër tij ka dale dega e LDK-së në Suharekë, të cilën e udhëheq, Shala ka thënë se kjo s’është e vërtetë.
“Nuk qëndron ajo, ka dalë veç nënkryetari dhe një anëtar”, ka pohuar ai.
Kujtojmë se dyshime për votimin apo jo të qeverisë së re ka edhe tek partitë e minoriteteve. Megjithatë sot, deputeti Elbert Krasniqi nga IRKD, ka deklaruar se ka disa ditë që nga partitë politike po i shkojnë oferta të ndryshme për të dhënë votën për krijimin e qeverisë së re, por se ai nuk do të votojë një qeveri e cila formohet pa fituesin e zgjedhjeve.