Qeveria Haradinaj abuzoi edhe në tenderët për vepra memoriale
Më 11 shtator, kur ishin bërë 18 vjet nga sulmi terrorist që mori rreth 3 mijë jetë në Shtetet e Bashkuara, Ramush Haradinaj, që atëkohë ishte kryeministër, bashkë me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, kishin përuruar një obelisk për këtë ngjarje, e që ishte ngritur në oborrin e Qeverisë. Qeveria Haradinaj kishte abuzuar me tenderin për këtë vepër përkujtimore.
Auditori i Përgjithshëm, në draftin e Raportit për 2019-n për Zyrën e Kryeministrit (ZKM), ka gjetur shkelje në këtë tender, por edhe në të tjerë të kësaj natyre, sikur është ai për ngritjen e muzeut “Bllaca”, shkruan KOHA.
Mbështetur në këtë dokument që e ka siguruar “Koha Ditore”, gjatë realizimit të kontratave janë hasur raste kur mungonin dyert në ndërtesa institucionesh, ani se në raporte figuronin se ishin vendosur. Dhe, përpos shkeljeve që lidhen me prokurimin, gjatë vitit të shkuar jashtëligjshëm ishin financuar edhe një numër organizatash joqeveritare, për të organizuar aktivitete gjatë festave memoriale, apo edhe për t’i realizuar disa nga aktivitetet e sponsorizuara nga koordinatori nacional për rini dhe sport, Rexhep Hoti.
Obelisku në oborrin e Qeverisë ka mbishkrimi “Kosovo Remembers” dhe në shqip “Kosova Kujton”. Ai mban logon e Qeverisë, dhe në katër faqet e tij janë gravuar edhe ndërtesat të cilat ishin sulmuar nga aeroplanë udhëtarësh, që i kishin marrë nën kontroll terroristët.