Albulena Haxhiu i reagon Grenellit: Populli e di se kush është Albin Kurti
Anëtarja e Kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj një deklarate të emisarit special të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili gjatë ditës së djeshme tha se kreu i VV-së, Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër Amerikës.
Haxhiu ka thënë se as Kurti dhe as Lëvizja Vetëvendosje nuk janë anti-amerikane, shkruan Reporteri.
Ajo ka pyetur se si mund të jetë anti-amerikan njeriu më i votuar në Kosovë.
Sipas Haxhit, Lëvizja Vetëvendosje, historikisht ka kritikuar pozicionet e gabuara dhe të dëmshme të palëve nga Kosova nga demarkacioni e deri te asociacioni dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me Amerikën.
Reagimi i plotë:
Së pari, as Albin Kurti as Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk janë anti-amerikane. Kjo është klishe e vjetër që është bërë ndaj VV-së dhe tashmë kjo gjë është e tejkaluar, askush nuk beson në të, madje as vet ata që e thonë.
Së dyti, Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, pas vet ShBA-ve. Si mund të jetë njeriu më i votuar i popullit më pro-amerikan një anti-amerikan?
Pra, populli e ka shumë të qartë se kush është VV e Albin Kurti.
Së treti, ne historikisht kemi kritikuar pozicionet e gabuara dhe të dëmshme të palëve nga Kosova dhe historia po na e dëshmon që kemi pasur të drejtë, nga demarkacioni te zajdenica e deri tash kur u dha shumçka e su mor asgjë. Kjo nuk ka të bëjë fare me Amerikën.