A do të trajtohen deklaratat e zyrtarëve të VV-së kundër njerëzve të UÇK-së në Gjykatën Speciale?
Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht që ka votuar kundër Gjykatës Speciale, vazhdimisht ka kritikuar dhe akuzuar disa nga figurat kryesore të UÇK-së.
Në Kuvend e në studio televizive disa nga figurat kryesore janë etiketuar si kriminelë, vrasës e njerëz të dhunshëm.
Nëse nisemi nga deklaratat e fundit të ish këshilltarit të Kryeministrit Kurti z. Shkelzen Gashi, se krerët e UÇK-së kanë vrarë civil serbë, atëherë edhe Gjykata Speciale do të duhej të vepronte në marrje në pyetje të këtyre personazheve.
Gjithashtu, edhe ish deputetja e VV-së Drita Millaku kishte akuzuar rëndë kreun e PDK-së z. Kadri Veseli në lidhje me vrasjen e Komandant Drinit. Pas pak ditësh, ishte demantuar lajmi sepse aktakuza për vrasjen e Komandant Drinit nuk ishte për z. Kadri Veseli, po për z. Sali Veseli i cili është nga Peja, por që edhe ky i fundit ka dalur i pafajshëm. Znj. Drita Millaku kishte rënë në lajthitje me këtë rast.
Gjithashtu, edhe Sami Kurteshi në postimet e fundit e ka quajtur vrasës Presidentin Thaçi. Ai gjithashtu ka akuzuar edhe krerët e SHIK-ut duke thënë se “SHIK-u ishte krijesë e UDB-së, ka kryer krime ndaj shqiptarëve”.
Akuza të rënda ka drejtuar edhe Haki Abazi duke thënë se Presidenti Thaçi i ka vrarë miqtë dhe disa nga figurat e larta të LDK-së.
Fatmire Kollçaku gjithashtu ka akuzuar Presidentin Thaçi se ndaj tij ka dosje për krime lufte. Poashtu, edhe zyrtarja e VV-së, Albulena Haxhiu e kishte quajtur kriminel, njërin nga themeluesit e UÇK-së z. Kadri Veseli.
Kreu i Vetëvendosjes nuk ka qëndruar anash në këto debate të nxehta. Ai ka thënë se ka krime të pasluftës dhe SHIK-un e ka quajtur organizatë kriminale.
Pavarësisht që asnjëra nga këto deklarata nuk janë faktuar, shtrohet pyetja se zyrtarët e lartë të VV-së, a do të merren në pyetje nga Gjykata Speciale për këto krime të cilat i kanë shpërfaqur anekënd Kosovës: në media, rrjete sociale e në Kuvend. /epilogu/