fbpx
Lajme

Dëshmia e ish-gjyqtarit të EULEX-it implikon gjykatësin e Speciales në ndjekjen e dyshimtë penale të Limajt

Charles Smith. Është ky emri i “zyrtarit të lartë” të EULEX-it të cilin Simmons e kishte përfshirë në tentim-ndërhyrjen e rastit ‘Kleçka’. Këtë pretendim ia zbulon kryeministrit Kurti në një dëshmi të detajuar. Smith aktualisht shërben si gjyqtar në Gjykatën Speciale.

Kur Malcolm Simmons dha dorëheqje nga EULEX-i dhe lëshoi një numër akuzash për korrupsion dhe keqpërdorime ndaj misionit evropian për sundim të ligjit, ai specifikoi një ngjarje që përfshinte një zyrtar të lartë të EULEX-it në “përpjekje për të ndikuar” në një rast të madh gjyqësor.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde katër vjet më parë, e cila tronditi misionin në të cilin ai kishte shërbyer si kryegjyqtar, Simmons implikoi një zyrtar të lartë të institucionit për ndërhyrje në rastin “Kleçka”, pa zbuluar identitetin e tij.

Sipas ish-gjyqtarit britanik të EULEX-it, ky “zyrtar i lartë” kishte ushtruar presion për dënimin e Fatmir Limajt, ish-komandantit të UÇK-së që bashkë me nëntë të tjerë gjykohej për krime lufte më 2013.

Katër vjet pas dëshmisë tronditëse të tij për Le Monde, Simmons ia ka parashtruar një dëshmi të detajuar me pretendimet e tij, Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Aty ka zbuluar emrat e zyrtarëve të cilët, sipas tij, kanë ushtruar presion në verdikte gjyqësore. Njëri prej tyre shërben tash e tri vjet si gjyqtar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gazeta Insajderi publikoi të enjten dëshminë që britaniku ia ka dërguar shefit të qeverisë përmes një dokumenti 110-pikësh. Seria e dytë e shkrimit të gazetës sjell detaje mbi pretendimet e Simmons për ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të EULEX-it në rastin ‘Kleçka’ dhe në lëndë të tjera.

Charles Smith. Është ky emri i “zyrtarit të lartë” të EULEX-it të cilin Simmons e kishte përfshirë në tentim-ndërhyrjen e rastit ‘Kleçka’. Këtë pretendim ia zbulon kryeministrit Kurti në dëshminë e tij.

Gjyqtari amerikan, Charles Smith III, kishte shërbyer në EULEX për tri vjet nga 2010 deri më 2013. Nga viti 2017 shërben në si gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Më 2020, është zgjedhur edhe nënkryetar i Gjykatës Speciale.

Simmons, përmend rastin ‘Kleçka’ si një lëndë me rëndësi për misionin e EULEX-it.

“Nga takimet e udhëheqjes së lartë të EULEX-it në të cilat kisha marrë pjesë, ishte e qartë që ndjekja penale e këtij rasti ishte me rëndësi për angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në dëshminë e Simmons.

Sipas avokatit britanik, misioni ishte i vendosur “ta dënonte Fatmir Limajn dhe, çka është më me rëndësi, ta largonte nga jeta politike”.

Ai kishte kryesuar trupin gjykues gjatë gjykimit në shkallën e parë ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve. Por kur gjykimi kishte përfunduar pa dënimin e të pandehurve, Simmons pretendon se ishin shpërfaqur tendencat e zyrtarëve të misionit për ndërhyrje në rast.

Përveç Charles Smith-it, akuzon edhe Gerrit Sprenger, një ish-gjyqtar tjetër të EULEX-it si të implikuar në rast.

“Gerrit Sprenger, zëvendëskryetar i gjyqtarëve të EULEX-it nuk humbi kohë për ta shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me shfajësimet në Kleçka dhe faktin që, sipas fjalëve të tij, ‘shtetet anëtare prisnin dënime’”, dëshmon Simmons. “Kleçka shkoi në apel dhe Gerrit Sprenger e emëroi veten kryetar të trupit gjykues të apelit. Trupi gjykues i apelit i ktheu prapa gjetjet e gjyqtarëve që e kishin gjykuar rastin dhe e dërgoi rastin në rigjykim”.

Përfshirja e Smith, sipas dëshmisë së Simmons, ndodhi kur lënda ndaj Limajt dhe të tjerëve iu drejtua Gjykatës së Apelit.

Simmons zbulon një email që Smith, asokohe kryetar i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, ia kishte dërguar atij më 29 janar 2013. E kishte nxitur që rastin e Limajt ta procedonte sa më shpejtë për gjykim, për “një numër arsyesh, shumica prej tyre politike”.

“Nëse EULEX-i është mision për sundimin e ligjit, përse përpiqet ta çojë përpara rastin për “arsye politike”? Cilat ishin ato ‘arsye politike’?”, pyet Simmons, në dëshminë dokumentuese dërguar Albin Kurtit më 3 qershor.

“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime.” Madje ai tha që puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Gjyqtari Charles Smith tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Ish-kreu i gjyqtarëve të EULEX-it, i cili është Gjyqtar i Gjykatës së Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar, dëshmon se Charles Smith, aktualisht gjyqtar në Gjykatën Speciale, nuk kishte ndërhyrë vetëm në rastin ‘Kleçka’ por edhe në raste të tjera të profilit të lartë.

“Unë e ndaja zyrën me një gjyqtare tjetër të EULEX-it. Me 18 korrik 2013 kolegia ime gjyqtare e EULEX-it mori një email nga Charles Smith, në të cilin ai e udhëzonte atë lidhur me mënyrën si të vazhdojë në një rast penal të profilit të lartë, në të cilin rast ajo ishte kryesuese”, thotë Simmons.

Bazuar në dëshminë e Simmons, edhe një Vitor Pardal, një ish-gjyqtar i EULEX-it, kishte provuar përmes e-mailave se Charles Smith dhe zëvendësi i tij, Gerrit Sprenger, ishin përpjekur të ndërhynin në njërin prej rasteve të gjykuara prej tij.

“Në të vërtetë, ai pohoi që procedurat e mëvonshme disiplinore të filluara kundër tij ishin rezultat i refuzimit të tij për t’i respektuar udhëzimet e tyre në atë rast të caktuar”, dëshmon Simmons.

Gazeta Insajderi raportoi dje se si kryeministri Albin Kurti ka shpërfillur në tërësi dëshminë e gjatë të britanikut Malcolm Simmons mbi aferat e dyshuara korruptive brenda EULEX-it. Shefi i qeverisë nuk i ka kthyer përgjigje ish-kreut të gjyqtarëve të EULEX-it për provat që i janë prezantuar dokumentit 110-pikësh. 

Kurti injoron ish-kryegjyqtarin e EULEX-it, Insajderi sjell dëshminë e tij

https://insajderi.org/kurti-injoron-ish-kryegjyqtarin-e-eulex-it-insajderi-sjell-deshmine-e-tij/embed/#?secret=4LfGVpuCpb

Simmons ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit që t’i mundësohet raportimi në Kuvend për ato që ai i cilëson skandale të misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Të dhënat e Simmonsit – të cilat hedhin dyshime mbi afera korruptive, ndërhyrje politike e kurdisje të dënimeve në EULEX – i ka shpërfillur kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivit, i cili kishte thënë se “nuk e njoh EULEX-in” kur ishte akuzuar nga ky mision për ngjarjet e protestës së shkurtit 2007, ka injoruar dëshminë e ish-kryegjyqtarit të EULEX-it. Nuk i ka kthyer ende përgjigje Simmonsit.

Dy vjet më parë, Insajderi raportoi në një seri shkrimesh për skandalet e EULEX-it. Në këtë seri shkrimesh të Insajderit, Simmons, akuzonte EULEX-in për korrupsion, ndërhyrje politike, presion dhe kërcënime për largim nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u nënshtroheshin urdhrave politikë.

Në një padi të këtij gjyqtari pretendohej se të paktën në dy raste kanë pasur urdhra për të dënuar njerëz të cilët konsideroheshin problematik në raport me bisedimet e Kosovës me Serbisë.

Pretendimet tij ndaj EULEX-it, të prezantuara edhe në dëshminë e fundit, Simmons synon t’i parashtrojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë i ka shkruar letër Kurtit. Por, betejën e ka nisur para një viti.

Gjatë vitit 2020, Simmons kishte shkruar një letër për Kuvendin e Kosovës, në të cilën shpreh vullnetin e tij për të dëshmuar në kuvend, gjë e cila ishte diskutuar në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin.

Sipas letrës, Simmons kishte qenë disa herë dëshmitar sjelljesh të gabuara që do të dëshmonin se individë përgjegjës për administrimin e drejtësisë ndërhynin në mënyrë të paligjshme në drejtësinë në Kosovë.

Deputetët kishin vendosur që për të gjitha këto pretendime ai të raportonte para tyre në janar të këtij viti, por raportimi nuk kishte ndodhur për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme që ishin mbajtur më 14 shkurt.

Simmons nuk është ndalur. Ai, një kërkesë për raportim para Komisionit për Legjislacion e ka bërë sërish para dy muajve.

Kryetari i Komisioni për Legjislacion, Adnan Rrustemi, pati bërë të ditur se në mbledhjet e ardhshme do të vendosnin për një datë kur do ta dëgjonin dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it.

Pavarësisht insistimit të Simmons, raportimi i tij para deputetëve të Kuvendit ende nuk ka ndodhur.

Gazeta Insajderi, më 8 qershor i ka shkruar Zyrës së Kryeministrit për ta pyetur nëse e ka pranuar letrën e ish-gjyqtarit të EULEX-it, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga kabineti i Kurtit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close