IKD thotë se gjatë 100 ditëve të Qeverisë “Kurti II” në shumë raste nuk është respektuar Kushtetuta, ligji dhe procedura në procesin e shkarkimit të zyrtarëve të lartë publik
Prishtinë – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se gjatë 100 ditëve të Qeverisë “Kurti II”, në shumë raste nuk është respektuar Kushtetuta, ligji dhe procedura në procesin e shkarkimit të zyrtarëve të lartë publik.
Një gjë e tillë u tha në konferencën për media të IKD-së që po mbahet sot, gjatë së cilës po prezantohet raporti me temën “Pritje dhe rezultate utopike (Analizë e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës)”.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala tha se mosrespektimi i Kushtetutës, ligjit dhe procedurave në procesin e lartpërmendur e zbeh qëllimin e mirë të proklamuar në Plan Program, sikurse cenon besimin për qeverisje të bazuar në ligj dhe procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, sipas kësaj analize, ndër pikat e dobëta të Qeverisë “Kurti II” mbetet mungesa e planifikimit dhe caktimit të prioriteteve në pajtim me agjendën evropiane dhe procesin e integrimit evropian.
“Agjenda legjislative e cila ka përcaktuar miratimin e 191 ligjeve brenda vitit 2021 është një plan ambicioz i cili në praktikë është e pamundur të realizohet. Kur kanë kaluar gjashtë muaj të vitit 2021, nga 191 ligje të parapara për miratim gjatë vitit 2021 deri më tani në Kuvend është miratuar vetëm një ligj, ndërkaq një ka kaluar në shqyrtim të parë.”, thuhet në këtë analizë. /BetimipërDrejtësi