fbpx
Lajme

E habitshme, Fitore Pacolli dhe deputetë tjerë të VV-së kundër vendimit të Kurtit (për homologimin)

Një grup i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Infrastrukturë po dalin kundër shefit të tyre në parti, dhe njëherit kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me nismën e tyre për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për automjete.

Përderisa kryeministri i shtetit po kërkon që me këtë ligj të ndryshuar të hiqet homologimi vetëm për veturat e reja e jo edhe për ato të përdorura, parlamentarët e tij në Kuvend po ia kontestojnë vendimin e njeriut më të fuqishëm në ekzekutiv, duke insistuar që homologimi të hiqet për të gjitha veturat, pa përjashtim.

Këta të fundit, të prirë nga Fitore Pacolli, në mbledhjen e së premtes të komisionit në fjalë, e shtynë fuqishëm drejt miratimit në Kuvend nismën e tyre, e cila, sic u tha më lart, është edhe krejtësisht kundër vendimit zyrtar të qeverisë. Ata, megjithatë, nuk ia arritën qëllimit, pasi nuk ia dolën të votojnë pro, në mungesë korumi.

Pse Kurti është kundër nismës së deputetëve të tij?

Në vendimin numër 02/14 të bërë publik në mbledhjen e qeverisë të datës 28 maj 2021, Kurti kërkoi që nisma ose projektligji i inicuar nga grupi i deputetëve të partisë së tij, të ndryshojë vetëm një nen të ligjit bazik, pra atij ekzistuesit (05/L-132) dhe atë duke përjashtuar nga homologimi vetëm automjetet e reja që hyjnë në Kosovë, madje vetëm ato që kanë certifikatë të konfirmitetit (CoC).

Me këtë dokument të zyrtarizuar si vendim qeveritar, kryeministri e bënë të qartë se duhet të bëhet homologimi i veturave të përdorura, që hyjnë në Kosovë. Deputetët e tij ndërkaq, me nismën dhe insistimin e tyre për ta kaluar atë në Kuvend, po dalin kundër tij, duke lobuar me të madhe që kjo të mos lejohet. Pra, ata, për dallim nga shefi i tyre në parti, po kërkojnë që në ligjin e ndryshuar të hiqet homologimi edhe për veturat e përdorura.

Në pozicionimin kundër nismës së deputetëve të VV-së, kryeministri Kurti, duke u thir në ekspertizë ligjore, vlerësoi se projektligji “nuk transpozon ndonjë akt të së drejtës së BE-së, bazuar në opinionin Ligjor të Përputhshmërisë me Acquis të BE-së, për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete 05/L-132”.

Arsyeshmërinë e këtij vendimi të kryeministri e argumentojnë edhe statistikat shqetësuese qe janë raportuar në Ministri e Qeveri, sipas të cilave, çdo e katërta veturë e përdorur që hynë në Kosovë, është jomeritore për të dal në trafik, të paktën për një arsye.

Në lidhje me parregullsitë me makinat e përdorura që importohen në Kosovë, ka shfaqur shqetësime edhe Oda Ekonomikë Britanike në Kosovë.

“Procesi i inspektimit të makinave te përdorura qe importohen ne Kosovë nuk është një taksë e panevojshme për qytetarin ose barrë për sipërmarrësin, sepse inspektimi i duhur mbron mjedisin, shpëton jetën dhe parandalon mashtrimet ndaj qytetarëve”, thuhet në një kumtesë të kësaj ode, të lëshuar ditë më parë./indeksonline/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close