fbpx
Lajme

Rikthehen punësimet familjare: Motra e deputetit të LVV-së pranohet në QKUK

Raci figuron në mesin e dy kandidateve të pranuara në pozitën e logopedit, në një konkurs të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK) të mbyllur të enjten.


Uka-Raci, me profesion logopede, është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Ukës. Megjithatë, ligjvënësi Uka ka mohuar të ketë ndikuar në konkurs.

Ajo u shpall kandidatja me rezultatin më të suksesshëm nga 39 veta që kishin aplikuar në konkurs. Sipas vendimit të konkursit – nxjerrë të enjten, – Uka-Raci mblodhi 82.6 pikë pas testimeve me shkrim dhe intervistim.

Lidhja familjare mes saj dhe deputetit Uka, ka ngritur dyshime për nepotizëm në konkursin të cilin e udhëhoqi një komision i brendshëm i ShSKUK-së, sipas një ankese të dorëzuar sot nga një kandidate në këtë konkurs.

Ankesa shpreh pretendime për “ndikime nepotiste” dhe shkelje të tjera procedurale dhe ligjore në zhvillimin e konkursit.

“I bëj apel zyrës ligjore të QKUK-së që ti merr parasysh këto shkelje dhe që rastin ta kthej në fillestare dhe monitorimi i këtij konkursi të bëhet sipas kritereve ligjore, pa ndikime nepotiste dhe me meritokraci”, thuhet në një ankesë të dorëzuar sot pranë Zyrës Ligjore të ShSKUK-së.

Pretendimet ankimore për manipulimin e plotë të konkursit

Përpos Zahide Uka – Racit, në konkursin e shpallur nga QKUK-ja për dy logopedë, në punë u pranua edhe Blendë Halili, një logopede që, sipas ankesës, nuk plotësoi kriteret e kërkuara me konkurs.

Bazuar në ankesë, dyshimet për manipulimin e konkursit janë vërejtur me hapjen e tij në muajin shtator.

“Nga ajo që shihet qartë në këtë konkurs ka patur shkelje esenciale dhe dyshime për manipulim sepse testet plotë 13 ditë kanë qëndruar në zyrën e kryetares së komisionit”, thuhet në ankesën që ndodhet në shqyrtim në Zyrën Ligjore të ShSKUK-së, e të cilën e ka siguruar Paparaci.

Nga 39 kandidatë që kanë aplikuar për dy pozitat e shpallura të logopedit, në intervistë janë ftuar gjashtë prej tyre. Në mesin e tyre edhe Bardha Kika, asistentja e deputetit Fitim Uka. Ajo nuk është pranuar në këtë pozitë.

“Për koicidencë ishin pikërisht emrat e atyre që ishin përfolur para se të hapet ky konkurs”, theksohet në ankesën e kandidates.

Por, ankesa denoncon edhe pranimin në punë të kandidates tjetër, Blendë Halili. Sipas të ankuarit, kandidatja e dytë më e suksesshme dyshohet se është licencuar si logopede para afatit kohor.

“Blenda Halili” e cila Diplomoi me date 17.04.2021 akoma pa u bërë 6 muaj nga koha e stazhit (praktikës) ajo u licensua para afatit kohor. Provimi me shkrim për punësim në të cilin është kërkuar licensa është mbajtë me datën 06.10.2021″, thuhet në ankesë.

Deputeti Uka mohon të ketë ndikuar në punësimin e motrës së tij

Deputeti Fitim Uka, mohoi të ketë ndikuar në konkursin e ShSKUK-së në të cilin u pranua në punë motra e tij, Zahide Uka – Raci siç pretendohet në ankesë.

Ai, ka thënë se nuk ka intencë “e as fuqi” të ndikojë në konkurse të institucioneve të pavarura siç është ShSKUK-ja.

“Por edhe po ta kisha nuk do ta përdorja kurrë në dem të studenteve të mi (meqë shumica e aplikanteve kanë qenë studentet e mi) dhe bashkëpunëtorëve të mi (meqë disa prej kandidatëve janë bashkëpunetorë të mi profesional)”, u shpreh Uka, në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten.

“Une jam deputet i Republikës së Kosovës dhe QKUK është institucion i pavarur. E di që në këtë kohë mund të krijon korrelacione të paqena në mes të pozites time dhe punësimit të cilitdo familjar, kudo dhe kurdo, madje edhe kur largohem nga politika”, ka thënë Uka.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, ka thënë se ka pasur edhe familjarë të tjerë që kanë qenë pjesë e këtij dhe konkurseve te tjera, “por e di që kur nuk pranohen, nuk përben lajm”.

“Në këtë mes nuk mund të këtë dy të vërteta dhe e vërteta ime është kjo”, ka thënë Uka.

“Por, natyrisht që e respektoj të drejtën e secilit për ankesë dhe inkurajoj që të ndjek çdo procedure ankimimi e ligjore për të parë nëse ka pasur shkelje, sado qe me duket krejt e palogjikshme ndërlidhja e konkursit me emrin tim”, ka deklaruar ai.

Fitim Uka, ushtron funksionin e deputetit në dy legjislaturat e fundit të Kuvendit të Kosovës./metro/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close