Biznesmeni i arrestuar sot në Gjilan, i afërt me Albin Kurtin dhe VV-në
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, Departamentin për Krime të Rënda, kanë arrestuar biznismenin Jasmir Morina, me dyshimin se ka falsifikuar dokumentacion në aplikimin për një tender në Spitalin Regjional të Gjilanit në vlerë prej 47 mijë euro.
Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribunë SHPK”, figuron si drejtor i kësaj kompanie që nga viti 2014, teksa në CV-në e tij të prezantuar në rrjetin social LinkdIn, shkruhet se ka të përfunduar master në Inxhinieri Ndërtimore në Universitetin e Prishtinës në vitin 2008.
Arrestimi i tij erdhi pas dyshimeve se ka falsifikuara licencën e arkitektës në tenderin për renovimin dhe meremetimin e objekteve spitalore të Spitalit të Gjilanit, në vlerë prej 47,058.03 euro, shkruan Insajderi.
“Tribune SHPK”, e regjistruar me 23 korrik 2014, ka përfituar 20 kontrata në procedurën e Prokurimit Publik, në vlerë afër një milion euro (964,090.12 Euro me TVSh).
E Ballkani.info e ka siguruar një fotografi ku Morina shihet duke biseduar me kryeministrin Albin Kurtin.
Në këtë fotografi shihet se Morina dhe Kurti bisedojnë në një tubim. Aty është edhe Hydajet Hyseni-Kaloshi, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Kurti e kishte vizituar edhe ekspozitën e Morinës në Bibliotekën Kombëtare Universitare në vitin 2020.
E tenderi për të cilën është arrestuar Morina, me vlerën më të madhe i fituar nga “Tribune SHPK”, është dhënë nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2019, në vlerë prej 202 mijë eurove për renovimin e ndërtesës.
Pastaj, kompania e Jasmir Morinës ka përfituar tender nga Qendra e Studentëve në vitin 2018 në vlerë prej 169 mijë eurove për shtrimin i vinflex në konviktet 1,2,3,4,6 dhe 7.
Vetëm në vitin 2021, “Tribune SHPK” fitoi tri kontrata nga institucionet publike në vlerë prej 78 mijë eurove.
Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së sotme njoftoi se ndaj Jasmir Morinës është marrë masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Dyshohet se, i dyshuari J.S., si pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan. Me këto veprime, i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.