Policia serbe e kërkonte Thaçin pas sulmeve të armatosura të 1993, arrestuan dhe keqtrajtuan babain e tij
Sulmet e para të armatosura ndaj policisë serbe u kryen në Drenicë nga grupi i Adem Jasharit, respektivisht edhe nga Hashim Thaçi ku për këto sulme ishte dënuar me dhjetë vjet burg nga aparati shtetëror serb.
Por, pas aksioneve të para, pas rënies në gjurmë të Thaçit, policia serbe kishte filluar bastisjet në familjen e Hashim Thaçit. Ky i fundit qëndronte pak ose fare në shtëpinë e tij sepse kishte hyrë në ilegalitet të thellë nga ajo kohë. Për veprime armiqësore ndaj Jugosllavisë ishte arrestuar e dënuar edhe axha i Hashim Thaçit, para viteve 1990.
Thaçi në një intervistë për televizionin Klan, në emisionin Opinion, kishte treguar se “prindërit e dinin se kisha hyrë në ilegalitet të thellë, e njihnin Adem Jasharin dhe Kadri Veselin, poashtu kishin njohuri për mbledhjet që i mbanim në Prekaz, poashtu e dija që përshëndetjet me prindërit e mi mund të ishin përshëndetjet e fundit para se të shkonim në veprimet tona operative”.
Ai më tutje tregoi se “në një moment, në një ditë pranverore në oborr, dhe në një moment mbetëm vetëm unë dhe babai im dhe babai më tha e dij Hashim që ke hyrë thellë në punët që janë të rënda, por biri im ki kujdes, ruje veten e ruaj shokët, për Serbinë mos u mërzit, mos u korit. Poashtu pas aksioneve, kurdo që policët më kërkonin në shtëpi, arrestohej prindi, merrej në pyetje, keqtrajtohej e lirohej. Presioni ishte për të më shantazhuar mua, por atëherë vetëm rritej këmbëngulësia ime për të vazhduar deri në fund”.