fbpx
Lajme

Akademiku britanik: Ramiz Alia u takua me Xhavit Halitin, Xhavit Hazirin e Ahmet Haxhiun në 1991

Si stërviteshin rekrutët kosovarë në Akademinë e Mbrojtjes të Tiranës

Kosova po fillonte të shfaqej në agjendën politike në Tiranë pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985. Pasuesi i këtij, Ramiz Alia, kishte qenë një komisar politik i ri në Kosovë për një kohë të shkurtër gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, edhe pse ai në atë kohë kishte një histori të dobët bashkëpunimi politik me partizanët jugosllavë, të paktën kishte njohuri personale praktike për Kosovën dhe interes për kushtet e Kosovës, ndryshe nga pjesa më e madhe e lidershipit komunist të Tiranës. Zhvillimet në partinë jugosllave po shikoheshin me shqetësim të rritur ndërkombëtar, edhe pse në këtë faze ka shumë mundësi që vetëm shërbimi sekret amerikan ishte i vetëdijshëm për kërcënimin e marrjes nga Millosheviçi të pushtetit të të gjithë aparatit të partisë. Ka gjasa që në këtë periudhë filluan të krijoheshin disa lidhje joformale mes shërbimit sekret të Tiranës, i cili ishte i lirë të udhëtonte për në Zvicër, për shkak se shumica e financave dhe e pagesave të tregtisë me jashtë kryhej atje, dhe lidershipit të LPK-së brenda dhe përreth Cyrihut dhe Gjenevës.

Një pjesë e mirë e këtij biznesi ishte tashmë në duart e agjentëve të Sigurimit dhe praktikisht nën kontrollin personal të R. Alisë. Alia pretendon se ai parashikoi mundësinë e një situate të re revolucionare në Kosovë dhe ai sigurisht që duhet të marrë një pjesë të meritës për lejimin e trajnimit të parë ushtarak për kosovarët në Akademinë e Mbrojtjes të Tiranës për një periudhë trevjeçare. Është gjithashtu krejtësisht e qartë se Alia e konsideronte Ushtrinë Republikane Irlandeze (IRA) si një model të mundshëm për një ushtri kryengritëse kosovare…

Kur interesimi i tij iu bë i njohur qeverive perëndimore, përmes spiunëve të tyre në Tiranë, ata u shqetësuan se mos së shpejti lindte një “Shqipëri e Madhe”, nëse mes Tiranës e Prishtinës hiqeshin pengesat e vjetra…. LPK-ja dhe kosovarë të tjerë radikalë kishin pasur gjithnjë kontakte me ushtrinë shqiptare në kufi dhe me qeverinë shqiptare përmes shërbimit sekret, Sigurimit. Me përmbysjen e komunizmit, shërbimet sekrete perëndimore u infiltruan në një shkallë të gjerë brenda Sigurimit. Si president i Shqipërisë, Ramiz Alia kishte takuar në Tiranë liderët e LPK-së, Xhavit Halitin, Xhavit Hazirin dhe Ahmet Haxhiun, pak kohë përpara se të humbte pushtetin në vitin 1991. Ky ishte një takim i hapur, për të cilin agjentët e shërbimeve sekrete perëndimore në Tiranë do të informoheshin së shpejti.

Alia kishte premtuar ndihmë morale për liderët e LPK-së, por është e qartë se mbështetësit perëndimorë të kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha, mund ta kenë kuptuar se së shpejti kjo mund të pasohej nga ndihma materiale dhe ky ishte një veprim më shumë që do të përshpejtonte fundin politik të Ramiz Alisë. Është e paqartë se deri në ç’pikë premtoi të shkonte Alia në ndihmë të kosovarëve… Në fund të pranverës së vitit 1990, me miratimin dhe dijeninë e qeverisë së Tiranës, fermeri i Prekazit, Adem Jashari, drejtoi një grup rekrutësh nëpër pyjet e dendura mbi Qafën e Koshares për në Shqipëri, për të filluar stërvitjen në Akademinë Ushtarake në Tiranë dhe në kampet ushtarake vendase në kodrat shqiptare. Shërbimi sekret jugosllav duhet të ketë pasur njëfarë ideje për atë që po ndodhte, përmes rrjeteve të tij informuese dhe, në 30 dhjetor të vitit 1990, fshati i tij i Prekazit u rrethua nga automjete të ushtrisë dhe të policisë dhe nga helikopterë që fluturonin ulët mbi shtëpitë e fermerëve. Kjo do të ishte një provë për ngjarjet dramatike që do të ndodhnin tetë vjet më vonë, në mars të vitit 1998, kur ai vdiq aty… Në qeverinë e Berishës, pas vitit 1992, pasuan grupe të tjera (gjithnjë të përbëra nga dhjetë veta), siç ishin, për shembull, rekrutët e çuar në Shqipëri në vitin 1993. Edhe pse tashmë këto trajnime ishin shpallur si ilegale nga qeveria ‘Berisha’, në praktikë ishte bërë pak ose aspak për t’i ndaluar…

James Pettifer është profesor i Historisë ballkanike në Universitetin e Oksfordit. Ai është autor i disa veprave kryesore për Ballkanin e Jugut, Greqinë dhe Turqinë, ndër to “Shqipëria, nga anarkia tek identiteti ballkanik”, “Çështja e re e Maqedonisë”, “Krijimi i krizës greke” dhe “Ekspresi i Kosovës”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close