“Gjyqtarja nga Shqipëria është motra e vrasësit të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt”
Pasditen e djeshme, ish-truproja familjare e Berishës, Izet Haxhia bëri edhe një pohim tronditës. Ai akuzoi si vrasës të heronjve të Kosovës Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, një person me emrin Bislim Demiraj.
Sipas Haxhisë, ai është vëllai i gjyqtares Shefkie Demiraj, e cila pikërisht për arsye është promovuar më pas duke u sjellë nga Tropoja në gjykatën e Tiranës.
Sipas Haxhisë, kjo gjyqtare në vijim ka shërbyer edhe si “zjarrfikëse” e çështjeve të nxehta të Berishëve. Faktikisht Demiraj ka qenë pjesë e trupit gjykues të dosjes së “Gërdecit”.
Në Tiranë ajo është sjellë pas vitit 2005. Avdi Mataj, burri i gjyqtares, ishte kryetari i Partisë Demokratike të “Qytetit Studenti” dhe mori detyrën e kreut të Agjencisë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Ministrinë e Ekonomisë.
Më ardhjen në pushtet të PD-së. Mataj ishte organizatori i “protestës” së inskenuar nga Partia Demokratike me militantë kundër shtëpisë së xhaxhait të Linda Ramës, bashkëshortes së Edi Ramës.
Motra e gjyqtares, Luljeta Demiraj, ishte ndër protestueset kryesore bashkë me drejtuesit e tjerë të “Qytetit Studenti” .
Izet Haxhia iu përgjigj disa pyetjeve të redaksisë së DITA pas publikimit të statusit të djeshëm.
-Izet, bëre një akuzë me emër e mbiemër në statusin tënd: Bislim Demiraj ka djegur regjistrat e gjendjes civile në Tropojë në 97-m, e më pas ka vrarë dy heronjtë e luftës çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj. A mund të hedhësh më shumë dritë?
Po, në vitet e qeverisjes së PD, Bislim Demiraj ka qenë shofer në gjykatën e Bajram Currit, dhe në kohën e embargos ndaj Jugosllavisë ishte personi që drejtonte kontrabandën e naftës në territorin e Kosovës, që në atë kohë i përkiste Jugosllavisë së mbetur. Ky person, Bislim Demiraj, është parë të lëvizë lirshëm në qytetin e Gjakovës e rrethina në kohë të embargos, kur në të njëjtën kohë shumë persona nga Tropoja u vranë nga ushtarët serbë në kalimin e kufirit Shqipëri – Kosovë; qoftë edhe kur shkonin të vizitonin të afërmit e tyre të ndarë nga vendosja e kufijve artificialë. Vetëm ky dhe Flamur Noka nuk e patën këtë ‘fat’.
Më vonë, në fillim të marsit (e kam fjalën për 1997) ky person pra Bislimi, është parë me bidona benzinë të djegë institucionet shtetërore në Tropojë, që nga gjykata e deri tek rasti unikal në ato trazira në gjithë Shqipërinë; Ai është autor i djegies së zyrave të Gjendjes Civile. Këtë gjë e kanë bërë vetëm pushtuesit serbë kur po largoheshin nga Kosova në ’99-n.
– Më pas çka ndodhur me të?
Më vonë po ky person që luante me të gjithë krahët, u punësua si shofer nga Jonuz Hyka, ish-operativ Sigurimi me lidhje të dyshimta me UDB në kohën kur shërbente si në këtë post, pra operativ Sigurimi, dhe më vonë si shef komisariati. Ky që me marrjen e kësaj detyre pas Fatmir Haklajt, puna e parë që bëri ishte bllokimi i armatimit për UÇK, ndërsa Bislimi kaloi si shofer i tij personal. Kuptohet, shkonte e vinte në Tiranë me dhe pa shefin e tij, ku mbante lidhje me Hajdarin e Berishën më në hije, dhe me
segmente të ndryshme brenda UÇK që më vonë u vërtetuan që kishin lidhje me UDB, dhe qëllim sabotimin e luftës çlirimtare.
Këtu duhet kërkuar edhe pjesëmarrja e tij si ekzekutor në vrasjen e Ilir Konushefcit dhe Hazır Malës. Duhet të dimë diçka, se segmentet e UDB, qoftë në PD qoftë në UÇK apo FARK e Bukoshit, kanë bashkëpunuar në unison për sabotimin e luftës dhe vrasjen e patriotëve dhe nacionalistëve të vërtetë.
Vetë fillimi i luftës në Tropojë dhe gjakmarrjes mes fiseve më të njohura, ka qenë pjesë e kësaj strategjie të UDB dhe veglave të saj shqiptare të tipit Bislim, Jonuz Hyka e eprorëve të tyre Berisha e Hajdari.
Dita