fbpx
Lajme

Kreu i LPK: LDK-ja kishte ngritur shërbimin e saj të fshehtë, në krye ishte shërbyesi i UDB Mehmet Loci

Në një shkrim për Gazetën Dita të Shqipërisë, ish Kreu i LPK-së z. Bedri Islami kishte dhënë disa detaje të pathëna më parë. Po ju sjellim disa pjesë nga shkrimi i tij.

Mbi të gjitha Berisha u lidh me klanin mafioz të Bukoshit dhe ky ishte gabimi i tij më iadh ose aty e deleguan të lidhej.

Bukoshi, duke pasur përkrahjen e Berishës, u përpoq deri në fund të mbyllte çdo shteg të hapur për qëndresën në Kosovë. Ai, edhe në Shqipëri, ngriti prita të reja drejt dobësimit të faktorit politik e ushtarak në Kosovë. Zyra e ngritur nga ai në Tiranë u bë qendër e ndërmjetësimit mes shërbimit të inteligjencës në Shqipëri dhe asaj që ishte ngritur në Kosovë, të cilën e drejtonte një figurë e njohur e udbashëve të Kosovës, Mehmet Loci, funksionar i lartë i këtij shërbimi.

Megjithatë, ka disa gjëra që duhen hapur deri në fund dhe të cilat, si duket, zoti Thaçi, i ka mbyllur në vete.

Njëra prej tyre:

Berisha ka nxjerrë shpesh herë alibinë e tij për shqiptarët e Kosovës që u stërvitën në Shqipëri, gjë e cila filloi pas një marrëveshje të qeverisë së Kosovës dhe lëvizjes çlirimtare me Ramiz Alinë, që delegoi tek këto të fundit ish këshilltarin e tij ushtarak, që më pas ishte edhe këshilltar i Berishës dhe vazhdoi edhe në dy vitet e para të presidencës Berisha.

Lëvizja Çlirimtare në Kosovë për grupin e dytë të stërvitur në Shqipëri, megjithëse kishte disa nga njerëzit e saj, kishte dhënë mendimin dhe kishte këmbëngulur se forma që po ndiqej do të sillte dekonspirimin e gjithë punës që po bëhej. Atashimi i njerëzve në mjedise legale pas stërvitjes, takimet populiste të zyrtarëve shqiptarë me to, mes tyre do të takohej edhe Berisha, kalimi në një legalitet publik të të gjithë figurave, e bënte gjithçka të rrezikuar.

Unë do i kisha sugjeruar Berishës dhe njerëzve pranë tij që mburren me stërvitjet e bëra në Shqipëri nga shqiptarët e Kosovës që për këtë do të kishin bërë mirë të heshtnin dhe të mos e nxirrnin për mburrje.

Për një shkak të thjeshtë: thuaj se të gjithë ata që u kthyen në Kosovë, ende pa u takuar me familjet e tyre, u arrestuan dhe shërbimi sekret serb dinte jo vetëm armën që kishin, jo vetëm numrin e armës, por edhe se ku kishin qenë, kush i kishte stërvitur, ku kishin fjetur e deri se çfarë kishin ngrënë. Një e dhënë e tillë, e hollësishme, mund të kishte ardhur vetëm nga shteti shqiptar ose qeveria Bukoshi dhe nga askush tjetër. Fakti që në këtë kohë u arrestuan në Kosovë edhe dy “institucione” fantazmë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, të cilët u liruan pak më vonë, sillte mesazhin e ardhur nga Tirana se lëvizja çlirimtare mbaroi.

Nga gjithë të stërviturit në Shqipëri do të ishin vetëm dy grupe që i shpëtuan arrestimeve ose nuk u arratisën në perëndim: Grupi i Drenicës, i drejtuar nga Adem Jashari dhe grupi i Llapit, i drejtuar nga Zahir Pajaziti.

Të tjerët ose morën rrugën e mërgimit dhe u shkëputën nga Lëvizja Çlirimtare, ose përfunduan në gjyqet serbe.

Megjithëse dihej se ta zëmë LDK-ja kishte ngritur shërbimin e saj të fshehtë, duke vënë në kreun e tij një figurë të njohur për shërbimin ndaj UDB-së, oficer madhor i saj, Mehmet Loci, apo se kishte ngritur një strukturë të posame për të hetuar UÇK-në, duke vënë në krye Ekrem Kryeziun e  Prizrenit, strukturë që më pas do të njihej si dorë e shërbimit serb në Kosovë, e njohur me emrin “Sigurimi i Atdheut”, ndaj asnjërit nuk u ndërmor një veprim ekstrem.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close