Kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Enveri, Tito dhe Kosova në mes
Kosova nuk ishte pronë e Enver Hoxhës, që as e kishte blerë dhe as mund ta shiste. Ajo ishte gjysma e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, që kishte historinë e saj, të vjetër e të re, mbi fatin e së cilës kishin vendosur Fuqitë e Mëdha në Londër, Berlin, Paris, në Jaltë e Potsdam dhe, më vonë, në Dejton e në Rambuje
Gazeta Dita
Në këtë pjesë të dytë të kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, shkëputur nga libri i saj “Kosova e lirë” që sapo ka dalë nga shtypi, jepet qëndrimi dhe politikat që ka ndjekur Enver Hoxha për çështjen e Kosovës, që nga themelimi i PKSH-së në vitin 1941 dhe deri në fund të jetës së tij. Sipas autores, Enveri ka ndjekur një vijë konsekuente në favor të një zgjidhjeje sa më të drejtë dhe përfundimtare. Premtimet e pambajtura të Titos dhe planet e Beogradit për gllabërimin e Shqipërisë si Republikë e shtatë jugosllave. Akuzat dhe kundërakuzat me Tiranës dhe Beogradit për Kosovën dhe rajonin, por edhe mirëkuptimi në distancë midis Enverit dhe Titos për të ruajtur stabilitetin dhe normalizimin e marrëdhënieve… dhe disa fakte që nuk janë përmendur deri më sot.
Pse Enveri u lidh me jugosllavët?
… Dihet që, në prag të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe grupi i tij komunist kërkuan dhe vendosën lidhje me PK të Jugosllavisë. Pse me komunistët e Jugosllavisë dhe jo me ata të Italisë e Greqisë, lidhja me të cilët ishte më e lehtë dhe nuk mungonin as njohjet me udhëheqës të partive komuniste të këtyre vendeve? Ndërkohë, grupe të tjera komuniste, që ekzistonin atëherë në Shqipëri, bënë përpjekje për t’u lidhur me lëvizjet komuniste në Itali e Greqi. Ç’e shtyu Enverin t’i drejtohej Partisë Komuniste të Jugosllavisë? Nuk e njihte ai historinë e hidhur të trajtimit barbar të shqiptarëve që ishin përfshirë brenda kufijve të kësaj? Përkundrazi, e njihte fort mirë.
Motivi kryesor, për të cilin është folur pak ose aspak publikisht, që shtyu Enverin me shokë t’i drejtohen PK të Jugosllavisë, ishte se në Jugosllavi ndodhej gjysma e kombit shqiptar dhe, në kushtet e agresionit të nazifashistëve italianë e gjermanë, duhej të bëhej çmos që zgjidhja e Çështjes së Kosovës të vihej në rrugë të mbarë. Të dy pushtuesit ndoqën një politikë djallëzore. U premtuan Kosovës dhe kosovarëve, gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, pavarësinë dhe bashkimin me Shqipërinë. Kjo lojë e nazi-fashizmit gjatë pushtimit të Jugosllavisë ishte shumë e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Enver Hoxha shkroi letra, shumë artikuj e trakte për të demaskuar këtë akt, për të bindur kosovarët e mashtruar dhe shqiptarët e tjerë në Jugosllavi se vetëm pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, përkrah popujve të Jugosllavisë dhe ushtrisë partizane të kësaj, do t’u jepte të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Përndryshe, ata do të shtypeshin, do të përbuzeshin dhe do të dënoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesve.
Me dhjetëra komunistë e patriotë kosovarë lanë shkollat e Shqipërisë, në Tiranë, Elbasan, Shkodër e gjetkë dhe shkuan në Kosovë, si Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Emin Duraku, Xhavit e Elhami Nimani, Ymer Pula, Hajdar Dushi e shumë të tjerë. Pothuajse me të gjithë këta Enveri njihej personalisht dhe i kishte shokë. Por nuk ishte kjo shoqëri që e shtyu Enverin të mbante gjatë luftës lidhje me këta persona. Pothuajse të gjithë këta u vunë në krye të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe, përgjithësisht, luftuan mirë, disa nga këta ranë dëshmorë.
Dërgimi i dy Divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, nga Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, në përforcim të njësive a brigadave partizane kosovare i dha një hov të ri luftës në Kosovë, Dibër etj. Forcat tona partizane shkuan dhe më tej, deri në Sanxhak, në ndjekje të pushtuesve gjermanë. Ranë në këtë luftë vëllazërore, përtej kufirit, mbi 300 partizanë dhe qindra të tjerë mbetën invalidë për jetë, me këmbë të ngrira dhe me plagë të rënda.
Me mbarimin e luftës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare i tërhoqi forcat e veta brenda kufijve të saj shtetërorë, duke lënë zot në trojet e veta luftëtarët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Por Komanda e Përgjithshme jugosllave, me Titon në krye, filloi zbatimin e planeve të vjetra të mbretërisë së Karagjorgjeviçëve, mbajtjen nën zgjedhë të Kosovës, largoi për në territore të tjera forcat e armatosura kosovare, të cilat, më pas, i çarmatosi. Në emër të një mobilizimi të ri, udhëheqja e re jugosllave grumbulloi mijëra të rinj dhe i shpërndau nëpër Jugosllavi dhe nuk dihet se ç’u bënë; dihet që vetëm në Tivar të Malit të Zi u ekzekutuan 2000 të rinj shqiptarë. Dhuna u shtri në gjithë trojet e shqiptarëve, ku në shumë pika i mbronin me armë. Kështu u vranë prapa shpine nga partizanë jugosllavë, 40 burra dibranë, që kishin dalë të ruanin natën qetësinë e qytetit të tyre. Ndër ta ishte edhe vëllai i nënës sime.
Sidoqoftë, pjesëmarrja e komunistëve kosovarë dhe e atdhetarëve të tjerë antifashistë në luftën me armë kundër pushtuesve nazifashistë, pa rënë në kurthin e këtyre të gjoja bashkimit me Shqipërinë, qe vendimtare dhe shpëtimtare.
Është tjetër punë që, si kosovarët, edhe komunistët shqiptarë u tradhtuan pikërisht nga komunistët jugosllavë, tek të cilët, në fillim Enveri pati besim se, si komunistë-internacionalistë, duhej të ishin kundër qëndrimeve shoviniste e raciste të njohura të serbomëdhenjve ndaj shqiptarëve. Një komunist i tillë internacionalist, qe shoku i ngushtë i Enverit, malazezi Miladin Popoviç, i cili u eliminua nga UDB-ja, pikërisht sepse ishte mik i Shqipërisë dhe çështjen e Kosovës e shikonte si internacionalist.
Plani për ta bërë Shqipërinë Republikë të Shtatë të Jugosllavisë
Gjatë tre vjet e gjysmë të Luftës dhe po kaq pas çlirimit, të dërguarit zyrtarë, partiakë dhe shtetërorë të Titos, si dhe misionarët e agjenturave të vjetra e të reja jugosllave (OZNA, UDB-ja e ç’farë ishin) nuk lanë gjë pa bërë për të përçarë e dobësuar Partinë Komuniste dhe Ushtrinë e re partizane shqiptare, që i siguruan popullit lirinë dhe pushtetin. Rekrutuan agjentët e parë në instancat e larta të Partisë, të Ushtrisë e të shtetit, i shtynin ato në veprime që dëmtonin vijën nacionalçlirimtare të Partisë, duke “këshilluar” që brigadat partizane të quheshin “proletare”, që këshillat nacionalçlirimtarë të quheshin “sovjetë”, të përdorej dhuna vend e pa vend, që pastaj të akuzohej PK si sektare, e majtë, terroriste dhe përgjegjës kryesor për këto “gabime të rënda“ të bëhej Sekretari i Parë i PKSH. Komploti i organizuar nga të dërguarit e udhëheqjes jugosllave, Velimir Stojniç e Nijaz Dizdareviç, me katër nga anëtarët e udhëheqjes së Partisë sonë në Plenumin e KQ në Berat, në prag të Çlirimit, dështoi. Ata nuk mundën ta mënjanojnë Sekretarin e Parë, i cili porsa ishte zgjedhur edhe kryetar i Qeverisë së Parë Demokratike nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar Kombëtar. Enveri u mundua të mbrojë vijën e drejtë të Partisë dhe të luftës së popullit shqiptar dhe nuk u ndal në akuzat personale që i bëheshin pa të drejtë, nuk ishte koha për t’u marrë me to.
Udhëheqja jugosllave nuk u mjaftua me intrigat dhe komplotet brenda vendit tonë, por është e çuditshme se edhe intelektualë të njohur të udhëheqjes jugosllave, si Kardeli dhe Milovan Gjilasi, në disa takime radhazi me Stalinin, lavdëronin më shumë “proletarin” teneqexhi, Koçi Xoxen, pa e njohur fare dhe duke ngjallur dyshime për Enver Hoxhën, si mikroborgjez dhe me kulturë perëndimore. Pse gjithë kjo këmbëngulje për mënjanimin e, po të ishte e mundur, eliminimin e Enver Hoxhës? Ata e kishin të qartë se me Enver Hoxhën nuk e bënin dot Shqipërinë Republikën e tyre të 7-të, për të cilën Mosha Pijade propozoi që në Selinë shumëkatëshe që po ndërtohej mbi Savë (e cila, për ironi të fatit, u bombardua nga NATO-ja) të parashikohej edhe kati për Republikën e 7-të, Shqipërinë. Udhëheqja jugosllave e dinte qysh gjatë Luftës se ç’mendonte Enver Hoxha për Kosovën, që i shpaloste në artikuj, nё traktet që i shkruante apostafat për Kosovën dhe në letrat që u dërgonte udhëheqësve kosovarë. Që në takimin e parë me J.B.Titon, gjatë vizitës së tij në Jugosllavi, në qershor të 1946-ës, Enver Hoxha i tha atij se “Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi, të banuara nga shqiptarët, i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen asaj”. Përgjigjja e Titos qe: “Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë”. Enver Hoxha iu përgjigj: “Në rast se nuk e kuptojnë tashti, do ta kuptojnë më vonë”. E lau gojën Titoja me një “tash për tash”. Ndërkohë, presionet, shantazhet, komplotet nga ana e jugosllavëve vazhduan derisa arritën të përdorin “la manu militaru”, duke dërguar dy divizione në kufi me Korçën, gjoja për të na mbrojtur nga një agresion nga Greqia. Atëherë Enveri tha: “Ndal!” Nuk ishte më fjala për një sulm ndaj personit të tij, ishte një sulm ndaj Atdheut tonë të pavarur e sovran, një kërcënim serioz ndaj fitoreve të popullit tonë, të arritura me gjakun e 28 mijë bijve të tij më të mirë. Protesta e Enverit gjeti mbështetjen e Stalinit. Erdhi prishja me Jugosllavinë. Shpëtoi Shqipëria nga një “mik” i pabesë.
A është e vërtetë se Enveri e shiti Kosovën?
Unë nuk besoj të ketë mbetur ende në ditët e sotme, ndokush me mendjen në kokë që ta besojë atё akuzë që u bë në fushatën e egër në vitet e para pas përmbysjeve të vitit 1990 në Shqipëri, kur Enver Hoxha, nën malin e shpifjeve, u akuzua edhe sikur “e shiti Kosovën”. Ngritja e një akuze të tillë nga spekulatorë hileqarë e disa politikanë të rrugëve, që erdhën në pushtet, ishte krejt absurde, sepse Kosova nuk ishte pronë e Enver Hoxhës, që as e kishte blerë dhe as mund ta shiste. Ajo ishte gjysma e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, që kishte historinë e saj, të vjetër e të re, mbi fatin e së cilës kishin vendosur Fuqitë e Mëdha në Londër, Berlin, Paris, në Jaltë e Potsdam dhe, më vonë, në Dejton e në Rambuje. As pas tre muajsh bombardime mbi Serbinë, nga fuqia më e madhe ekonomike e ushtarake e botës, SHBA e NATO, s’mund të thuhet se Çështja e Kosovës u zgjidh drejt e përfundimisht. Po të mos kishte krisur pushka e UÇK-së dhe, po të mos ishte treguar ajo frymë e lartë patriotizmi e solidariteti nga populli shqiptar i një gjaku, i ndarë artificialisht e padrejtësisht nga kufij të imponuar, nuk do të arrihej as kaq sa është arritur.
Enver Hoxha ishte i vetëdijshëm që vendi i tij ishte i vogël për t’u matur ballë për ballë me shtete më të mëdha ose më të forta, si BS, vendet e demokracisë popullore, shtetet fqinje etj. Ai kishte nevojë për ndihma, miqësi e mirëkuptim. Por, për të mënjanuar ndërlikimet politike e diplomatike me këto shtete dhe, njëkohësisht, për t’u qëndruar presioneve që u bëheshin Partisë së Punës dhe Shqipërisë për ndryshime në rrugë revizioniste, Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i Kryeministrit, duke mbajtur vetëm atë të Sekretarit të Parë të Partisë, për të qenë më i lirë në qëndrimet e tij politiko-ideologjike. Ai zgjodhi dhe përpunoi strategjinë e luftës së pandërprerë në rrafshin ideologjik, duke u marrë kryesisht me devijimet revizioniste nga partitë, duke evituar në maksimum kundërshtitë a fërkimet në politikën e në marrëdhëniet shtetërore.
Drejtësinë e kësaj strategjie e ka vërtetuar historia. Megjithë luftën e gjatë që bëri Enver Hoxha kundër titizmit e Titos, mes dy shteteve tona dhe në kufijtë që na ndanin nuk ndodhi asnjë incident i rëndë, aq më tepër, edhe në situatat më të vështira nuk lindi asnjë konflikt.
Enver Hoxha evitonte me kujdes çdo provokacion që bëhej nga ana e titistëve dhe agjenturës së tyre, UDB-së.
Dushan Mugosha, agjent i vjetër i OZNA-s dhe i UDB-së, pas zullumeve që bëri në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shtabin e tij antishqiptar, diversionist, e ngriti në Prishtinë, duke grumbulluar përreth e duke bashkëpunuar me lloj-lloj kolaboracionistësh fashistë shqiptarë të arratisur dhe armiq të egër kundër Shqipërisë.
Gjatë gjithë jetës së tij, Enver Hoxha nuk u lodh së demaskuari Titon e titizmin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe ideologjike të udhëheqjes jugosllave, me vetadministrimin, “mosangazhimin” etj. Me luftën kundër titizmit ai mbante zgjuar vetëdijen dhe vigjilencën ndaj rreziqeve që u kërcënoheshin Kosovës dhe gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, mbronte të drejtat e tyre politike, kulturore e shoqërore. Në 12 libra, që janë botuar me artikujt e shkruar “Kundër revizionizmit”, shumica janë lidhur me Kosovën, politika e së cilës (e Jugosllavisë), veçanërisht ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi, ndiqej dita-ditës. Shumë nga këta artikuj janë shkruar nga vetë Enver Hoxha, qoftë edhe kur nuk kanë firmën e tij. Në shënimet që do të lexoni në këtë libër ju do të njiheni edhe me metodën e punës, veçanërisht në ndjekjen e politikës së jashtme, së cilës ai ia kushtonte kohën dhe kujdesin më të madh.
Për shumë artikuj, ai tezat i bënte vetë ose jepte me gojë porosi të zbërthyera. Kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet tona me fqinjët, që, sigurisht, më të shumtat ishin me Jugosllavinë, se në mes kishim gjysmën e atdheut e të popullit tonë, Enveri formulonte vijat esenciale të dokumentit. Në rastet kur duhej protestuar, ai nuk lejonte zvarritje dhe ishte i prerë. Për biseda diplomatike të funksionarëve të Ministrisë së Punёve të Jashtme dhe të ambasadorëve tanë ai ndiqte një stil tjetër, sipas rastit, por gjithmonë duke mbrojtur me dinjitet politikën e vendit tonë. Shënimet e Enverit, disa nga të cilat janë edhe në këtë libër, qenë dhe mbeten si një manual shkolle për diplomatët tanë, ai ua jep pothuaj të plotë tekstin e bisedës, duke përdorur shpesh një metodë të zakonshme të tij: “Për shembull, unë (Enver Hoxha – N.H.) do t’i thosha kështu… e ashtu”. Në këto shënime do të gjeni se si mendonte ai për të gjetur pikat e kontaktit edhe me funksionarë shqiptarë në udhëheqjen jugosllave e në Kosovë, megjithë qëndrimet e tyre pro Titos. Pasi porosit sesi duhet sjellë me ta, ai shënon edhe replikën e bashkëbiseduesit: “Po kujt t’i themi, Fadil Hoxhës, që është anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë?”.
“Po, mundet, edhe Fadil Hoxhës, – përgjigjet Enveri, – se është më mirë të jetë në krye të Kosovës një shqiptar, sesa një serb”.
Enver-Tito, replika dhe mirëkuptim në distancë
Enver Hoxha ishte një politikan largpamës dhe bir besnik i popullit të vet, çdo veprim e bënte siç e donin interesat e vendit të tij. Kur në vitet ’60 ai vendosi të denoncojë publikisht, në Mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, devijimet revizioniste të Nikita Hrushovit dhe ndërhyrjet e udhëheqjes sovjetike në Shqipëri, Enver Hoxha nuk mendoi vetëm të mbështetet te një aleat i madh, tek Kina e Mao Ce Dunit, por filloi të reflektojё si duhet të ndërtonte politikën e marrëdhënieve me vendet fqinje e, kryesisht, me Jugosllavinë. E para, sepse Jugosllavia kishte të njëjtën origjinë sllave dhe të njëjtën fe si Rusia dhe, së dyti, sepse brenda kufijve të saj kishim gjysmën e tokave dhe të popullsisë sonë. Ishin vite jo të qeta edhe për Titon. Rënkonte toka dhe ziente gjaku i shqiptarëve në Jugosllavi nga shtypja dhe terrori i egër i serbomëdhenjve, nën komandën e Aleksandër Rankoviçit.
Viti 1968 qe një vit i mbushur me revolta në gjithë Europën. Ngjanë demonstratat e studentëve në Francë, Gjermani e gjetkë, si dhe demonstratat e përgjakshme në Kosovë e Maqedoni. Ngjau agresioni i turpshëm i trupave sovjetike dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë. Nga një anë, Shqipëria kërcënohej nga superfuqia e re sovjetike, me teorinë e saj arrogante “të sovranitetit të kufizuar” dhe, nga ana tjetër, për gjithçka ngjiste në Kosovë, Tetovë etj… udhëheqja jugosllave akuzonte RPS të Shqipërisë si nxitëse. Enverin e shqetësonte mendimi se mos forca ultrareaksionare e nacionaliste serbe, për të ruajtur interesat e Serbisë së Madhe, i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe e lejonin atë të realizonte ëndrrën e vjetër të saj për daljen në Adriatik, nëpërmjet Kosovës e Maqedonisë, duke pushtuar Shqipërinë, ashtu siç bëri me Çekosllovakinë. Për të përballuar këto rreziqe, Enver Hoxha deklaroi në një nga fjalimet e tij se Shqipëria dhe populli shqiptar janë gati të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë për mbrojtjen e vendeve tona nga një agresion i mundshëm nga ana e Bashkimit Sovjetik.
Kësaj deklarate, Titoja iu përgjigj nëpërmjet një ambasadori të tij: Rusët kanë kërkuar të kalojnë territorin jugosllav për të sulmuar Shqipërinë. Ne nuk do të lejojmë asnjë këmbë ushtari sovjetik në territorin jugosllav.
Kështu, hap pas hapi, lidhur me situatat e reja që u përmendën më lart, u krijuan premisat që, si nga ana jonë, shteti shqiptar, ashtu dhe nga Federata Jugosllave, të rishikonin pozitat e tyre për vendosjen e një mirëkuptimi në dobi të të dyja palëve.
Enver Hoxha analizonte pozitat në të cilat ndodhej Titoja dhe nxirrte konkluzione. Enveri gjykonte që Titoja, si nacionalist kroat, ishte shumë i interesuar që shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi t’i ketë si një kundërbalancim ndaj serbëve, sepse kanë qenë kurdoherë këta që i kanë shtypur dhe i kanë gjakosur më shumë shqiptarët. “Duke e ditur këtë, – theksonte Enveri, – si antiserb dhe antisovjetik që është, Titoja mendon se popullata shqiptare në Jugosllavi është jo vetëm një masë kompakte, por sot kjo ka nga pas edhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, që përbëjnë së bashku një forcë të konsiderueshme…”.
Nga ana tjetër, Titoja mendonte se tani që Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte mbetur vetëm, pa mbrojtjen e ndihmën e mikut të madh, Jugosllavia mund të rriste ndikimin e vet mbi shqiptarët e Shqipërisë Socialiste, duke reklamuar realizimet e Jugosllavisë vetadministruese, “mirëqenien” e krijuar nga miliarda dollarë kredi nga kapitali botëror. Filluan shkëmbimet e delegacioneve dhe vizitat e shqiptarëve te njëri-tjetri, me skena mallëngjyese takimi, pas shumë vite ndarjeje. Vizitorët vinin me duart plot me dhurata, por njerëzit tanë, në mbrëmjet e gjata të pagjumë, në muhabetet intime tregonin që, si shtëpitë, pajisjet e brendshme, autoveturat e gjithçka i siguronin me kredi.
Bije Vokshi më pati thënë: “Në Kosovë edhe fëmija qan në bark të nënës, kukú, – thotë, – kur do t’i paguaj gjithë këto borxhe?”.
Kurse Enver Hoxha, në kushtet e reja, kësaj hapjeje me Jugosllavinë mendonte t’i jepte një përmbajtje të re, me qëllim që të arrihej një afrim i tillë mes shqiptarëve, për këndej e andej kufirit, që do të na siguronte, në tё ardhmen, realizimin e aspiratës së gjithë shqiptarëve, bashkimin e tyre.
Më 1970, Enver Hoxha, mbajti një fjalim në Tropojë që, në fakt, qe një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve të reja me Jugosllavinë, duke pasur në qendër të saj “Çështjen e Kosovës” dhe të drejtat e saj. Ky fjalim pati jehonë jo vetëm në opinionin e gjerë publik, por vuri në lëvizje edhe kancelarinë diplomatike jugosllave. Fadil Hoxha, i cili kishte funksione të larta në Kosovë, por edhe në Federatën Jugosllave, për herë të parë mori pjesë në një ceremoni zyrtare në ambasadën tonë në Beograd.
Në këtë atmosferë, J.B.Tito riformuloi Kushtetutën e RF të Jugosllavisë, që u quajt e 1974-ës, ku Kosova përcaktohej si Krahinë Autonome me të drejtën e pjesëmarrjes si anëtare konstituive në Presidencën e Federatës Jugosllave. Sigurisht, nuk ishte kjo që donin populli i Kosovës dhe populli shqiptar, por, si fillim, mund të shërbente për të shkuar më tej në vendosjen e marrëdhënieve më të lirshme njerëzore, kulturore, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Qëndrimi i Enverit në atë kohë, që u transmetonte emisarëve të vëllezërve kosovarë, personaliteteve politike, shkencore, kulturore, ishte: “Shfrytëzoni në maksimum të drejtat që ju njihen nga Kushtetuta e 1974-ës. Po kështu do të bëjmë edhe ne nga ana jonë”. Enveri mendonte se “njohja nga afër me njёri-tjetrin, arritja historike e unifikimit dhe e njёjёsimit të të folmes së përbashkët në gjuhën letrare, ecja në shina paralele në arsim, shkencë, art e kulturë do të krijonin atë bashkim shpirtëror kombëtar, për të realizuar më vonë ёndrrën shekullore të bashkimit të kombit tonë.